Maqedoni

Radev: Marrëveshjet ndërkombëtare nuk revidohen

03.07.2024 14:29

Presidenti bullgar Radev tha se me rëndësi është që Maqedonia e Veriut të mbetet në rrugën e saj evropiane...

Deklarata e kryeministrit Mickoski, se Marrëveshja e Prespës është punë e kryer, por emrin Maqedoni do të vazhdojë ta përdorë në deklaratat e tij, derisa për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë mund të negociohet përsëri, ka shkaktuar reagime në Athinë dhe Sofje. Presidenti bullgar Radev tha se me rëndësi është që Maqedonia e Veriut të mbetet në rrugën e saj evropiane, duke theksuar se kur nënshkruhet marrëveshje ndërkombëtare, ajo patjetër të respektohet pa u reviduar.
 
“Për fat të keq udhëheqësia shtetërore e Maqedonisë së Veriut është e dukshme se nuk është e përgatitur për funksionin për shkak të arsyeve të shumta. Është e nevojshme e drejta ndërkombëtare, që është e qartë se nuk respektohet. Kur të arrihet marrëveshje ndërkombëtare, ajo duhet të implementohet edhe nga të gjitha qeveritë e ardhshme, e jo të revidohet.”, - deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Mickoski: Bullgaria t’i respektojë të drejtat e maqedonasve
 
Sipas presidentit bullgar, deklaratat e udhëheqësisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut po e largojnë vendin nga integrimi evropian. Sipas tij, nuk mund të jeni anëtare e NATO-s dhe të pretendoni anëtarësimin në BE dhe të dilni me deklarata të tilla. Por, kryeministri Mickoski thot se nuk mund të zhvillohet politikë e standardeve të dyfishta dhe insiston në reciprocitet.
 
“Askush nuk është kundër bashkësisë bullgare. Ne i respektojmë ato qindra bashkëqytetarë tanë të cilët për vete thonë se janë pjesë e bashkësisë bullgare, por po ashtu kërkojmë nga presidenti bullgar, që t’i respektojë edhe të drejtat njerëzore edhe të pakicave të bashkësisë maqedonase në Bullgari.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Sa u përket deklaratave të zyrtarëve bullgar, e sidomos ato të presidentit Radev, sipas Mickoskit, ato i ngjajnë më shumë mesjetës se sa kohës së sotme. 
 
GYLTENE SINANI