Maqedoni
Transportuesit privat në kryeqendër: Do të punojmë edhe dy ditë me orar të shkurtuar
03.07.2024 14:44
Transportuesit e autobusëve privat në Shkup do të vazhdojnë të transportojnë qytetarët edhe për dy ditë...

Transportuesit e autobusëve privat në Shkup do të vazhdojnë të transportojnë qytetarët edhe për dy ditë, por me orar të reduktuar dhe atë deri në orën 10:00 të mëngjesit. Transportuesit thonë se kanë marrë premtime nga ndërmarrja e transportit publik për shlyerje të borxhit, por që ndërmarrja publike akoma nuk po arrijnë ta likuidojnë borxhin. Iu kërkojmë falje qytetarëve, por nuk kemi mjete financiare, thonë transportuesit.
“Borxhi ndaj nesh është i lartë. Për muajin janar kemi marrë vetëm një të tretën dhe për 3 javët e fundit nuk kemi marrë asnjë denarë. Borxhi arrin vlerën diku deri në 110 milionë denarë, por kemi dhe muajin qershor të pafakturuar. Të gjithë transportuesit janë dhe borxhlinj ndaj pompave të benzinës dhe për disa prej tyre kanë filluar të arrijnë dhe dënime për mospagesa të karburantit.”, - u shpreh transportuesi privat, Oliver Petrushevski.
Qytetarët thonë se ndodh të presin edhe deri në 40 minuta, por nuk i fajësojnë transportuesit privat të cilëve nuk po u paguhen borxhet.
“Presim me orë të tëra.”, - tha një qytetare.
“Pasi që nuk i paguajnë, çfarë të bëjnë, nuk mund të paguajnë prej xhepit të tyre.”, - tha një qytetar.
“Po pres së paku rreth 40 min.”, - tha një qytetare tjetër.
Disa prej tyre kanë pasur një takim me drejtorin e Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkup”, i cili tashmë është shkarkuar, nga i cili kanë marrë premtimin se gradualisht do t'u paguhen borxhet. Në këtë mënyrë, borxhi i tyre do të shlyhet plotësisht deri në shtator. Ata thonë se nuk kanë asnjë njoftim se çfarë do të ndodhë pas shkarkimit të drejtorit të Transportit Publik në Shkup.
GAZMEND REXHEPI
