Maqedoni
Shfuqizimi i drejtorëve ekonomik, Mizrahi: Presim ndryshimet në Kuvend
03.07.2024 15:15
Ndryshimet ligjore për shfuqizimin e drejtorëve ekonomik që u miratuan në Qeveri...

Ndryshimet ligjore për shfuqizimin e drejtorëve ekonomik që u miratuan në Qeveri me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, pritet të kalojnë në Kuvend. Deputetët e VMRO – DPMNE-së, të cilët përshëndesin reformën, thonë se me kalimin e kompetencave menaxheriale të klinikave tek një drejtor i vetëm, më lehtë do të lokalizohet përgjegjësia, ndërkaq paratë do të ridestinohen për përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore, si dhe do të rritet transparenca dhe llogaridhënia. Rashella Mizrahi njofton se veç më janë shkarkuar 9 ushtrues detyre drejtor ekonomik, mbeten për t’u shkarkuar edhe 5.
“Me këtë masë do të fitojmë optimizim të sistemit shëndetësor, përforcimin e shëndetësisë publike dhe përmirësimin e funksionimit, organizimit nëpërmjet eliminimit të nënshkrimeve të ndërlidhura të dy drejtorëve dhe zonës së errët të përgjegjësisë. Njëkohësisht do të shmangen shpenzimet e panevojshme, duke i ridestinuar të njëjtat në ekipimin serioz shëndetësor, edukim të kuadrit dhe furnizim të pajisjeve të reja shëndetësore.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi.
Drejtorët ekonomik u vendosën para 17 viteve. Gjatë vitit 2006, Qendra Klinike në Shkup u nda në 32 klinika me 56 drejtorë dhe 142 anëtarë të bordit drejtues, u dëshmua si zgjidhje jofunksionale dhe i shtrenjtë. Shteti për pagesën e tyre në nivel vjetor ka ndarë mbi gjysmë milioni euro.
MERAL ISMAILI
