Maqedoni
Filipçe mori detyrën nga Kovaçevski, paralajmëroi reforma në LSDM
03.07.2024 15:23
Venko Filipçe e ka marrë postin e kryetarit të LSDM-së nga ish-kryetari, Dimitar Kovaçevski....

Venko Filipçe e ka marrë postin e kryetarit të LSDM-së nga ish-kryetari, Dimitar Kovaçevski. Kryetari i sapozgjedhur, Venko Filipçe, paralajmëroi se pason një periudhë me shumë punë, gjegjësisht bashkim dhe reformim të LSDM-së. Sipas njoftimit me shkrim të socialdemokratëve, Kovaçevski i ka uruar sukses në punën dhe rindërtimin e një LSDM-je fitimtare, ndërsa Filipçe është zotuar se do ta dëgjojë zërin e të gjithë anëtarëve dhe bashkërisht do ta bëjnë LSDM-në motor të përparimit shoqëror.
“Procesi nuk do të jetë as i shpejtë dhe as i lehtë, por përveç ndryshimeve thelbësore nuk ka rrugë tjetër për të rikthyer besimin e anëtarëve, në mënyrë që gradualisht të fitojmë besimin e qytetarëve. Unë do të drejtoj me shembull, do të bashkohem dhe do të punoj siç kam premtuar, ashtu siç u jam përkushtuar anëtarëve. Zëri i të gjithëve do të dëgjohet. Me komunikim të shpeshtë dhe të hapur me anëtarësinë, do të krijojmë energji të re për partinë, të cilën do ta shndërrojmë në një organizatë efikase. LSDM-ja do të kthehet më e fortë dhe do të vazhdojë të jetë motor i përparimit shoqëror.”, tha Filipçe.
Kryetari i ri i LSDM-së, Venko Filipçe, u zgjodh në zgjedhjet e brendshme partiake të drejtpërdrejta me mbi 9.000 vota nga anëtarët e partisë. Nga LSDM-ja theksojnë se janë partia e vetme në vend me kapacitet kaq të lartë demokratik, që kryetarin e partisë e zgjedh në zgjedhje të drejtpërdrejta brendapartiake. Ndryshimet në drejtimin e LSDM-së erdhën pasi ish-kryetari i kësaj partie, Dimitar Kovaçevski, dha dorëheqje pas disfatës së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat LSDM-ja fitoi vetëm 18 deputetë.
SANIJE DURAKU
