Kulturë

Shqipëri, iu dha lamtumira e fundit Ismail Kadaresë

03.07.2024 16:06

Arkivoli i Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe, mbështjellë me flamur kuq e zi...

Arkivoli i Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe, mbështjellë me flamur kuq e zi, u vendos në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në orën 09:00. Në sfond, silueta e Nënë Terezës, me vellon bardhë e blu të Murgeshës, në duar rruzaret për lutjet katolike; muzikë funebre dhe poezia drithëruese. Helena Kadare dhe dy bijat, Gresa dhe Besjana, veshur me të zeza e me lot në sy. Libri i ngushëllimeve e bri tij, foto e madhe e Ismail Kaderesë. Një ceremoni shtetërore, nën mbikëqyrjen e kryeministrit, Edi Rama, kuruar në çdo detaj, i cili pas homazheve me bashkëshorten, Linda Rama, zbuloi dhe detaje të organizimit.
 
“Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje. Lëreni aty, iu thashë, nuk ka më mirë. Duke e pas njohur e dija në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndihej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin dhe ata jo pak që e donin, por s’do t’i donte assesi rrotull përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën.”, - deklaroi Edi Rama.
 
Mijëra njerëz, personalitete të artit, letërsisë, diplomatë të huaj, politikanë vendas, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kryen homazhe në nderim të gjeniut të letrave shqipe. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se Tetova humbi qytetarin e saj, pasi Kadareja ishte shpallur qytetar nderi i Tetovës. 
 
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, i shoqëruar nga delegacioni për të nderuar kolosin e letërsisë. Gjithashtu prezent ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe zonja e parë, Amanda.
 
Para udhëtimit të Kadaresë për në banesën e tij të fundit në varrezat e Tufinës, ceremoni kjo vetëm familjare, u mbajt një minutë heshtje.
 
LULJETA NDOKA