Botë

Ceremonia fetare kthehet në tragjedi, rritet në 121, numri i të vdekurve në Indi

03.07.2024 16:39

Rritet në 121, numri i të vdekurve që u shtypën në një tubim të mbipopulluar fetar hindu në rajonin Utar Pradesh të Indisë...

Rritet në 121, numri i të vdekurve që u shtypën në një tubim të mbipopulluar fetar hindu në rajonin Utar Pradesh të Indisë, njoftuan zyrtarët qeveritarë. Rrëmuja ndodhi gjatë aktivitetit të lutjes masive të quajtur "satsang", e cila u mbajt në qytezën Sikandara-Rau në zonën Hathras të Utar Pradeshit. Kjo konsiderohet si tragjedia më e madhe për më shumë se një dekadë. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Autoritetet janë ende duke i identifikuar viktimat. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi rrëmujën, por disa dëshmitarë thanë se dalja ishte shumë e ngushtë dhe kur njerëzit po largoheshin, një stuhi e fortë pluhuri shkaktoi panik, duke bërë që njerëzit të nguteshin, të rrëzoheshin dhe të shkelnin njëri-tjetrin.
 
"Sapo mbaroi ngjarja, njerëzit nxituan të largoheshin, duke shkaktuar një rrëmujë. Ky aksident ndodhi si një rezultat i kaosit.”, - tha familjari i një të plagosuri në rrëmujë, Sandep Kumar.
 
"Kam qenë e vendosur në detyrë në mitingje politike dhe ngjarje të tjera masive, por nuk kam parë kurrë një numër kaq të madh njerëzish. Unë u përpoqa të ndihmoja disa gra, por edhe më ra të fikët dhe u shtypa nën turmën.”, - theksoi oficerja e policisë, Shela Maurja.
 
"Kunata jonë erdhi këtu për satsang dhe u zhduk në rrëmujë. Nuk mund ta gjejmë atë dhe ne nuk e dimë nëse ajo është e gjallë apo e vdekur. Ne kemi kërkuar në shumë vende.", - u shpreh i afërmi i personit të zhdukur, Ram Nirvas.
 
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e atyre që humbën jetën në rrëmujë. Incidentet vdekjeprurëse janë të zakonshme në Indi, pasi turma të mëdha njerëzish mblidhen në hapësira të ngushta, ku nuk respektohen masat e sigurisë. Në vitin 2013, nga ikja në rrëmujë në një festival tjetër hindu në shtetin qendror, Madhia Pradesh, humbën jetën 115 njerëz.


FARIJE DAUTI BAKIJU