Botë

Vazhdojnë bombardimet mbi Gazë, Izraeli pretendon se ka vrarë ushtarë të Hamasit

03.07.2024 17:07

Izraeli vazhdon sulmet intensive ajrore dhe tokësore në pjesë të ndryshme të Gazës....

Izraeli vazhdon sulmet intensive ajrore dhe tokësore në pjesë të ndryshme të Gazës. Forcat izraelite kryen sulme me bomba dhe artileri në lagjen Shujaije, që ndodhet në lindje të qytetit verior të Gazës. Shumë njerëz u vranë dhe u plagosën si pasojë e avionëve luftarakë të ushtrisë izraelite, por numri i saktë nuk është konfirmuar ende. Ambulancat nuk arritën në zonë si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat izraelite, dhjetëra civilë ndodhen nën gërmadha dhe nuk ka mundësi që të nxirren jashtë për shkak të mungesës së mjeteve të shpëtimit.
 
“Pak kohë më parë, forcat pushtuese hodhën një bombë në këtë lagje të banimit, e cila çoi në shkatërrimin e disa shtëpive mbi kokën e banorëve të tyre. Ka fëmijë dhe gra nën rrënoja. U gjetën edhe trupa të dëshmorëve të vrarë dhe ka ende një numër të madh nën rrënoja por është shumë e vështirë të arrihet tek dëshmorët dhe të lënduarit që ndodhen nën rrënoja për shkak të mungesës së burimeve.", - deklaroi mjeku ndihmës, Faris Afaneh.
 
"Nuk kishte asnjë paralajmërim. Ata na goditën me një F-16 dhe gjithçka që ne pamë ishte një lagje e kthyer përmbys. Ky është gjenocid.”, - tha banori i Gazës, Saleh Muqat. 
 
"Ne ishim të sigurt në shtëpi duke fjetur, kur papritmas pati seri sulmesh jashtëzakonisht intensive. Kjo është një ndërtesë trekatëshe me tre apartamente, të gjitha të mbushura me familje. Shumica e tyre u vranë.”, - u shpreh banori i Gazës, Ahmed Muqat.
 
Pavarësisht numrit të lartë të civilëve të vrarë, Izraeli këmbëngul se ka vrarë ushtarët e Hamasit.
 
"Ne numëruam në Brigadën Rafah të Hamasit  dhe ajo që pamë me sytë tanë janë mbi 900 terroristë të vdekur, duke përfshirë komandantë, të paktën një komandant batalioni, shumë komandantë kompanish dhe shumë operative.”, - theksoi shefi i Shtabit të IDF-së, Herzi Halevi.
 
Konflikti në Gazë ka filluar të përshkallëzohet në të gjithë Lindjen e Mesme.
 
"Forcat e Armatosura të Jemenit do të vazhdojnë të ekzekutojnë operacione të përbashkëta ushtarake me Rezistencën Islamike të Irakut në mbështetje të popullit palestinez derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet rrethimi mbi popullin e Gazës.", - theksoi zëdhënësi i ushtrisë së Huthis, Jahja Sare.                                                                                          
 
Përveç Hothive të Jemenit, Izraeli ka hapur fronte edhe me grupin libanez Hezbollah dhe kanë shkëmbyer zjarr në kufirin mes dy shteteve, por përshkallëzimi i fundit ka nxitur shqetësime për një konfrontim më të madh. Hezbollahu e ka lidhur ndërprerjen e sulmeve të saj ndaj Izraelit me fundin e sulmeve të Tel Avivit në Gazë, ku që nga tetori janë vrarë të paktën 38 mijë palestinezë dhe është krijuar një katastrofë humanitare.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU