Botë

Itali, digjet peshkarexha me klandestinë

17.04.2015 15:08

Një tjetër episod tmerri në ujërat e Mesdheut ka pasur sërish për protagonistë, dhjetëra klandestinë nga Afrika subsahariane...

Një tjetër episod tmerri në ujërat e Mesdheut ka pasur sërish për protagonistë, dhjetëra klandestinë nga Afrika subsahariane, udhëtarë të pafat në njërën prej anijeve me emigrantë që nuk rreshtin së vërshuari drejt brigjeve të Evropës.
 
Rojet bregdetare italiane arritën të shpëtojnë peshkarexhën e mbetur në mes të detit, por, me t’u afruar, u bënë dëshmitarë të një skene të llahtarshme, njerëz të djegur keqas, përfshirë edhe fëmijë të vegjël. Një vajzë 25 vjeçare ndërroi jetë nga plagët e rënda, pasojë e shpërthimit të një bombole gazi.
 
Anija kishte në bord 60 apo 70 emigrantë. Ata rrëfejnë se trafikantët nuk i kanë lejuar të kërkojnë ndihmë, e kështu kanë mbetur në det për dy ditë, derisa ata vetë u larguan me një gomone, të cilën nuk po arrinin ta frynin.
 
Peripecitë në det, vuajtjet e lajmet e dhjetëra vdekjeve nuk e kanë frenuar aspak fluksin e emigrantëve të paligjshëm të nisur drejt Italisë.
 
Vetëm brenda një jave, numri i personave të shpëtuar në det llogaritet në mbi 13.000 dhe sipas pohimeve të zëdhënëses së Komisionit Evropian, Natasha Bertaud, në muajt e verës problemi pritet të bëhet akoma më therës.
 
Trajtimi çnjerëzor i klandestinëve prej trafikantëve ka çuar të enjten në arrestimin e 15 shtetasve afrikanë prej forcave policore italiane, me dyshimin se kanë hedhur nga bordi i një anijeje emigrantësh mbi një duzinë personash, që ishin të krishterë.