Botë

Prishtinë, shënohet 4 Korriku - Dita e Pavarësisë së ShBA-së

04.07.2024 13:13

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka organizuar disa aktivitete pranë shtatores së ish-presidentit, Bill Klinton...

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka organizuar disa aktivitete pranë shtatores së ish-presidentit, Bill Klinton, në Prishtinë me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së ShBA-së. Me këtë rast, togu ceremonial i FSK-së ngriti flamurin e ShBA-së. Kjo festë nuk është vetëm e Amerikës, por edhe e Kosovës dhe shqiptarëve, deklaroi kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi. 
 
“Ne sot po festojmë 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së Amerikës, mirëpo kjo datë nuk është vetëm ditë simbolike e amerikanëve, është datë edhe e gjithë shqiptarëve që dinë të vlerësojnë veprimet e jashtëzakonshme të ShBA-së me aleatët që kanë bërë jo vetëm tash, por shumë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës për mbrojtjen e qenies nacionale shqiptare për krijimin e  shtetit të Kosovës, për krijimin e institucioneve të Kosovës. 4 Korrikun e llogarisim si 28 Nëntorin, e llogarisim 17 Shkurt, e llogarisim si ditë madhore të kombit tonë.”, - deklaroi kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi. 
 
Aktiviteti përfundoi me vizitën e ekspozitës me simbole të shtetit amerikan dhe shtetit të Kosovës. Ndërkohë Filarmonia e Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të mbajë koncert për dy përvjetorë të rëndësishëm: 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E veçanta e kësaj mbrëmjeje muzikore do të jetë edhe pjesëmarrja e ambasadorit amerikan, Xhefri Hovenier, si pjesë e Korit të Filarmonisë së Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI