Maqedoni
Dëmet që sollën reshjet, Butel, ndahen 3 milionë denarë për dëmshpërblim
04.07.2024 13:33
3 milionë denarë ndan komuna e Butelit për dëmshpërblimin e banorëve të saj...

3 milionë denarë ndan komuna e Butelit për dëmshpërblimin e banorëve të saj, të cilët pësuan nga stuhitë dhe reshjet e fundit. Këtë ndihmë financiare e miratoi Këshilli i komunës së Butelit në seancën e kaluar, ku njëzëri miratuan vendimin për t’i dëmshpërblyer qytetarët me mjetet e buxhetit komunal.
“Mjetet në vlerë prej 3 milionë denarësh do të sigurohen nga buxheti i komunës dhe do të formohet komision për vlerësimin e dëmeve nga stuhia. Së shpejti pushteti lokal do të shpallë procedurën për përcaktimin e dëmeve.”, thuhet në komunikatën e komunës së Butelit, në të cilin theksohet se iniciativa për dëmshpërblim është e kryetarit të komunës së Butelit, Darko Kostovski.
Çair, grumbullohen të dhënat për dëmet
Në ndërkohë edhe pushteti lokal i komunës së Çairit po punon në këtë drejtim, ku tani më është themeluar ekipi për mbrojtje dhe shpëtim dhe komisionin për vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
“Për sa i përket dëmeve materiale në amvisëri si pasojë e reshjeve të shiut, komisioni për vlerësimin e dëmeve merr shënime për dëmet e shkaktuara dhe e njëjta dorëzohet në Qeveri dhe Qendrën për Menaxhim me Kriza. Pas vlerësimit nga institucionet kompetente të pushtetit qendror, ndahen mjete të dedikuara për kompensim të dëmit të shkaktuar.”, thuhet në komunikatën e komunës së Çairit.
Pas reshjeve të shiut, ekipi i punëtorëve sezonal në kuadër të komunës së Çairit ka qenë në terren dhe ka vepruar në pastrimin dhe normalizimin e gjendjes. Meteorologët gjatë tre ditëve të ardhshme, parashikojnë mot kryesisht me diell, pa pasur reshje të rrëmbyeshme të javës së kaluar. Temperaturat maksimale do të jenë deri në 32 gradë celsius, me disa vranësira dhe reshje të vogla në disa zona malore.
REXHEP QAMILI
