Ekonomi

Durmishi shpalos prioritetet, në fokus, klima afariste dhe kushtet e punëtorëve

04.07.2024 14:29

Përmirësimi i klimës afariste dhe kushte më të mira për punëtorët do të jenë prioritetet...

Përmirësimi i klimës afariste dhe kushte më të mira për punëtorët do të jenë prioritetet në të cilat do të fokusohet Ministria e Ekonomisë dhe Punës. Numri një i këtij dikasteri, Besar Durmishi, tha se do të punojë për përmirësimin e standardit jetësor për uljen e inflacionit, si dhe për sigurimin e masave të reja për kompanitë. Në fokus do të jenë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku do të ketë masa të reja në bashkëpunim me sektorin e biznesit.
 
“Do të rritet financimi dhe masat që do të merren për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme. Do të përqendrohemi në mbështetjen e plotë infrastrukturore dhe logjistike të zonave industriale. Investitorët e huaj, sektori i biznesit, punëdhënësit dhe odat do të konsultohen gjatë miratimit të të gjitha zgjidhjeve ligjore, ndërsa ne do të jemi partneri i vetëm për bashkëpunim dhe prioritet i imi do të jetë mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
 
Durmishi paralajmëroi se do të punojë edhe për avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe në seancën e parë të këshillit socio-ekonomik do të shqyrtohet edhe kërkesa e Lidhjes së Sindikatave për rritjen e pagës minimale. Sipas tij, do të vazhdojë edhe procedura për përpilimin e ligjit të ri të marrëdhënieve të punës.
 
“Do të konsultohem me dhomat ekonomike, do të konsultohem me sindikatat, me punëdhënësit, por edhe organet e tjera relevante dhe do të sjellim vendim të përbashkët.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
 
Durmishi bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të paraqesë kërkesë në Entin Shtetëror të Revizionit për revidim të plotë të veprimtarisë së Ministrisë së Ekonomisë. Revizioni i fundit i funksionimit të Ministrisë është bërë në vitin 2015.
 
FLUTURA LATIFI