Botë

Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar, sondazhet parashikojnë fitore për laburistët

04.07.2024 15:00

Qendrat e votimit janë hapur në Britaninë e Madhe për miliona qytetarë që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme....

Qendrat e votimit janë hapur në Britaninë e Madhe për miliona qytetarë që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme. Votuesit ne Britani do t’i zgjedhin 650 deputetë për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar në Parlament. Për të formuar Qeverinë kërkohet një shumicë prej 326 deputetësh. Në rast se asnjë parti nuk ka një shumicë absolute në Parlament, partitë më të vogla pa mbështetje të fortë rajonale mund të jenë çelësi për formimin e një Qeverie koalicioni. Rreth 40 mijë qendra të votimit në Britani dhe 46 milionë qytetarë me të drejtë vote janë bërë kryelajm i mediave botërore.
 
"Ishte një Keir Starmer mjaft i qetë që hyri brenda për të votuar këtu në Londër. Ka shumë gjasa që ai të jetë kryeministri i ardhshëm, atëherë kur qendrat e votimit do të mbyllen dhe votat do të jenë të numëruara.”, - theksoi korrespondentja në Mbretërinë e Bashkuar, Tine Hjersing Knudsen. 
 
"Shpresoj se është fillimi i diçkaje më të mirë për vendin tonë, sepse, padyshim pas Breksitit, pas pandemisë, pas të gjitha skandaleve, të gjithëve u mjaftuan dhe duan ndryshim dhe duan diçka më të mirë për këtë vend.", - u shpreh votuesi, Niki Vud. 
 
“Unë kujdesem për fëmijët e mi, shpresoj të ketë më shumë buxhet për arsimin dhe artin.”, - tha një menaxhere e një restoranti. 
 
“Brezi i ri është shumë më i interesuar për ndryshim. Kështu që mendoj se çfarëdo që të ndodhë në vend, do të ketë një ndryshim të madh. Por, kushdo qoftë, ata kanë shumë punë përpara. Nuk do të jetë e lehtë për ta.”, - u shpreh një pensionist.
 
Qeveria e re do të duhet të përballet me krizën financiare, migrimin dhe inflacionin e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Rivali më i madh i kryeministrit, Sunak, është 61-vjeçari, Keir Starmer, një ish-prokuror i përgjithshëm për Anglinë dhe Uellsin dhe udhëheqës i Partisë Laburiste, që nga prilli i vitit 2020.
 
"Nëse sondazhet janë përgjithësisht të sakta, sipas të gjitha gjasave ne do të shohim një shumë më dramatike të rezultateve zgjedhore, për sa i përket viktimave që do të pësojë Partia Konservatore, sesa që ne kemi parë ndoshta në të gjithë shekullin 21.”, - theksoi politikologu, Filip Koulej. 
 
Sipas sondazhit të opinionit publik, Laburistët e Starmerit kanë një avantazh prej rreth 20 për qind ndaj konservatorëve të kryeministrit Sunak, të cilët ishin në pushtet gjatë periudhës së daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe pandemisë së Kovidit. 
 
BELINDA KOKA ADEMI