Botë
Shqipëri, u arrestua ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj
04.07.2024 15:33
Me pranga në duar, vendosur pas shpine, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar me policë...

Me pranga në duar, vendosur pas shpine, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar me policë, hyri në orën 09:30 në ambientet e Policisë së Tiranës. kësaj here jo për dosjen e Sterilizimit, për të cilën po hetohet, por nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj dhe programet e BE-së.
Ilir Beqaj qëndroi aty për rreth 120 minuta dhe pas u transferua në qeli. Ai u arrestua në banesë me kërkesë të SPAK-ut, nën akuzat se ka zhvatur fondet e BE-së, ndryshe Agjencia SASPAC në periudhën që e drejtonte. Bashkë me të, në pranga ranë edhe bashkëpunëtori, Ermal Kurtulaj, ish-koordinator i një projekti të BE-së edhe Alfred Nikolla. Përmes njeriut të tij të besuar, Ilir Beqaj pastronte paratë në bizneset ku vetë ai rezultonte pronar në hije, përmes prerjes së faturave fiktive, për shërbime që nuk kryheshin.
Hetimet për abuzimet me fondet e BE-së nisën në shtator të vitit të kaluar dhe ndaj ish-ministrit u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i udhëtimit jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për rastin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Më 29 dhjetor të vitit 2023, me urdhër të SPAK-ut, u ushtrua kontroll në shtëpinë e ish-ministrit, aty ku janë gjetur dokumente me rëndësi për hetimin, celularë dhe kompjuterë. Beqaj pritet të dalë ditët në vijim për masë sigurie para Gjykatës së Posaçme.
LULJETA NDOKA
