Maqedoni

Përgatitja e të rinjve për tregun e punës, mbi 30 të rinj ndjekin falas kursin e IT-së

04.07.2024 15:55

“Të rinjtë që do të trajnohen në fushën e teknologjisë-digjitale, nuk do t’i shërbejnë vetëm vetes, por të gjithë komunitetit”...

“Të rinjtë që do të trajnohen në fushën e teknologjisë-digjitale, nuk do t’i shërbejnë vetëm vetes, por të gjithë komunitetit.”, tha kreu i “Kallirit të Mirësisë”, Nexhat Lika, me rastin e promovimit të IT-projektit, që ka për qëllim aftësimin profesional dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Përmes këtij projekti do të trajnohen për tetëmbëdhjetë muaj, 30 të rinj nga mosha 17 deri në moshën 25 vjeç.
 
“Kjo nismë është projektuar për të hapur dyert për të rinjtë, duke i pajisur ata me aftësitë më të kërkuara në botën e sotme digjitale. Duke zotëruar këto aftësi, pjesëmarrësit tanë të rinj, jo vetëm që do të sigurojnë të ardhmen e tyre, por do të kontribuojnë në përparimin teknologjik në komunitetin tonë.”, - deklaroi Nexhat Lika nga Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”. 
 
Këta të rinj, pas përfundimit të projektit mund të inkuadrohen shpejt në tregun e punës, por mund të krijojnë edhe bizneset e tyre private dhe të hapin vende të reja pune për të tjerët, tha Muhamed Sulejman nga Organizata Humanitare “Islamik Relief”, që është pjesë mbështetëse e këtij projekti.
 
“Të rinjtë që do të trajnohen në Softvere të ndryshme do të marrin certifikata të pranuara ndërkombëtarisht dhe do të zhvillojnë aftësitë e tyre në fushën përkatëse. Besojmë se ky projekt do t’i ndihmojë të rinjtë që të fillojnë bizneset e tyre. Urojmë që pas përfundimit të këtij projekti të festojmë për 30 afaristë të rinj, që do t’i kontribuojnë shoqërisë në të ardhmen.”, - theksoi Muhamed Sulejman nga Organizata Humanitare “Islamik Relief”.
 
Në kohën e sotme ku gjithçka bëhet përmes teknologjisë, IT-njohuritë janë shumë të rëndësishme, prandaj të rinjtë janë më të interesuar për këtë lëmi.
 
“Jo rastësisht i kemi përzgjedhur këto dy trajnime paraprakisht me “Kallirin e Mirësisë”. I kemi zgjedhur për faktin se janë dy prej fushave që sot kërkohen më së shumti në treg. Nëse e përvetësoni materialin, ju do të keni mundësi të mëdha.”, - u shpreh drejtori i shkollës “Infotech”, Burim Sherifi.
 
Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë” dhe Organizata Humanitare “Islamik Relief” kanë realizuar dhjetëra projekte edukativo-arsimore në territorin e Republikës, pasi sipas tyre, arsimimi është baza për ringritjen e shoqërisë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU