Maqedoni
Mbrëmje humanitare në Çair, fonde për fëmijët me nevoja të veçanta
17.04.2015 14:35
Shoqata për Ngritjen e Vetëdijes Psiko-sociale, “Imago Plus”, e mbështetur nga Komuna e Çairit, organizoi mbrëmje humanitare...

Shoqata për Ngritjen e Vetëdijes Psiko-sociale, “Imago Plus”, e mbështetur nga Komuna e Çairit, organizoi mbrëmje humanitare për mbledhjen e fondeve për fëmijët me nevoja të posaçme. Të pranishmit kontribuuan në kuadër të mundësive të tyre me mjete financiare, për përmirësimin e kushteve për punë dhe shkollim të fëmijëve me nevoja të posaçme në Shkup.
Kryetarja e Shoqatës “Imago Plus” tha se dëshirojnë që t’i rrisin kapacitet e kësaj organizate me më shumë hapësirë dhe ekspertë profesional, që të mund t’i trajtojnë falas edhe fëmijët që nuk janë të përfshirë në këtë institucion, sepse kjo kategori ka më shumë nevojë për kujdes, dashuri dhe trajtim adekuat.
“Falë këtij bashkëpunimi kemi arritur që brenda një viti t’i trajtojmë 35 fëmijë nga gjithsej 75 fëmijë të paraqitur. Vlen të theksohet se OJQ “Imago Plus” është e vetmja organizatë shqiptare që bashkëpunon me UNICEF-in dhe që ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, si e vetmja organizatë shqiptare që trajton fëmijë me aftësi të kufizuara”- deklaroi kryetarja e Shoqatës “Imago Plus”, Zemrie Bela.
Nga kjo organizatë shprehin gatishmërinë që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të asistojnë rreth diagnostikimit dhe identifikimit të fëmijëve me nevoja të veçanta në nivel shtetëror, si dhe trajtimin e këtyre fëmijëve deri në arritjen e suksesit final, që është të arsimuarit e njëjtë me nxënësit e tjerë nëpër shkollat publike.
Edhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, shpreh gatishmërinë e tij që të ndihmojë në vazhdimësi këtë kategori të fëmijëve, për çka edhe në buxhetin komunal janë ndarë mjete të veçanta.
“Duke u munduar që kësaj kategorie të fëmijëve t’i dalim në ndihmë dhe jetën e tyre ta lehtësojmë sa më shumë, Komuna e Çairit ka krijuar, ashtu siç e ka paraparë edhe në buxhetin e vet, mjete të veçanta për të ndihmuar personat me nevoja të posaçme, mjetë këto të cilat çdo vit alokohen në formë të mbështetjes së projekteve të cilat e trajtojnë këtë çështje”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Shoqata “Imago Plus” trajnon fëmijët me nevoja të veçanta në objektin e Shkollës “Kongresi i Manastirit”, ku mësimin e vijojnë mbi 70 fëmijë me nevoja të veçanta, si fëmijë të prekur nga sindromi Daun, Autizmi, Dislekcija, Paraliza Celebrale etj.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
