Maqedoni
Ministri Taravari njofton për punësime të reja, Taravari: Mungesë e kuadrit në klinika
05.07.2024 14:31
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se do të ketë punësime të reja në Klinikën e Onkologjisë...

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se do të ketë punësime të reja në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në klinika të tjera në të gjithë vendin dhe sektorët e shëndetësisë, ku ka mungesë të personelit. Ai tha se do të bëjë presion mbi Qeverinë, por edhe se do të bisedojë me Ministrinë e Financave për të siguruar mjete. Ai tha se do të bisedojë edhe me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë për të siguruar kuadër.
“Dëgjuam për deficitin e kuadrit që ekziston, sidomos kuadrit të mesëm, por edhe kuadrit mjekësor. Besoj që të enjten të kemi edhe një takim së bashku me drejtorin e Fondit dhe të Onkologjisë, që të bëjmë një strategji me të cilën do të dalim para Qeverisë për një informacion dhe për të bërë presion ndaj Ministrisë së Financave, sidomos që të kërkojmë sa më shpejtë të bëhen punësime, sidomos të mjekëve, infermierëve, por edhe të teknologëve të radiologjisë dhe njerëzve të cilët janë fizikanë dhe merren me punë në Klinikën e Onkologjisë. Besoj që do të insistojmë që t’i vendosim në funksion edhe ambulancat në Tetovë, në spitalin “8 Shtatori” dhe në spitalin klinik në Manastir.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
I pyetur për emërimin e drejtorëve maqedonas nëpër klinika, Taravari përgjigjet se tash është numri më i madh i drejtorëve shqiptarë sesa periudhën e kaluar.
“Duket qesharake, sepse nuk më duken seriozë, në ato klinika ne i zgjedhim të gjitha kuadrot që janë profesionistë. Kemi klinika ku drejtorë janë shqiptarë, diku maqedonas, diku turq. Unë mendoj se na duhen drejtorë që janë menaxhues të mirë, janë të suksesshëm si kuadër dhe unë nuk besoj se përqindja e drejtorëve shqiptarë tash është më pak sesa më parë, mund të them me plot përgjegjësi se është shumë më shumë sesa që ishte para tre - katër muajsh.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ndërsa për problemin e Onkologjisë, që i mungon terapia dhe pacientët kthehen në shtëpi, drejtori i Onkologjisë tha se problemi është duke u punuar dhe shpreson që së shpejti të zgjidhet.
VLORA LATIFI TOPOJANI
