Maqedoni
MASh dhe QShP: Nota mesatare 3.25, në provimin e maturës shtetërore
05.07.2024 15:00
Nota mesatare vjetore e provimit të maturës shtetërore është 3.25, më pak se vitin e kaluar dhe një vit paraprak...

Nota mesatare vjetore e provimit të maturës shtetërore është 3.25, më pak se vitin e kaluar dhe një vit paraprak, njoftoi drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajlovska. Edhe pse është më e ulët se vitet e kaluara, megjithatë është notë e shkëlqyer për sa i përket objektivitetit. Në vitin 2023 nota mesatare ishte 3.65, ndërsa në vitin 2022 ishte 3.78. Kjo, sipas QShP-së, si institucion kompetent për zbatimin e procesit, është rezultat i masave të rrepta gjatë provimit që janë marrë këtë herë, por me gjithë masat e rrepta, përsëri ka pasur shkelje.
“Nota mund të jetë pak më e ulët, por në krahasim me atë që kemi pasur vitin e kaluar si mënyrë funksionimi, mund të them se është notë e shkëlqyer në aspektin e objektivitetit. Gjatë vlerësimit të testeve, vlerësuesit zbuluan 175 nxënës që kopjuan testet, si dhe 22 plagjiaturë. 268 nxënësve të cilëve u është shqiptuar masa anulim i provimit do të mund t’i nënshtrohen provimit sërish në afatin e gushtit.”, - deklaroi drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajlovska.
Siç tha Mihajlovska, më së shumti shkelje të rregullave për marrjen e Maturës Shtetërore janë konstatuar në “Arseni Jovkov” – Shkup, gjithsej 32; pastaj në “Dr. Pançe Karagjozov” – Shkup, ku janë shqiptuar 18 masa; në “8 Shtator” – Tetovë janë shqiptuar 14 masa; 13 masa për shkelje të rregullave të testimit janë shqiptuar në “Metodija Mitevski – Brico” – Shkup dhe “28 Nëntori” – Dibër. Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” – Shkup janë shqiptuar 12 masa për largim nga procesi i dhënies së provimit të maturës shtetërore. Ndërsa ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se ministria do të fillojë negociatat me universitetet për lirimin e hapësirave më të mëdha, në mënyrë që nga viti i ardhshëm të mbahet matura shtetërore.
“Unë do të insistoj që kalimi i Maturës Shtetërore të kryhet në amfiteatrot dhe hapësirat e tjera të fakulteteve publike ku ka bllokues dhe teknologji të tjera që do të pengojnë përdorimin e pajisjeve të komunikimit gjatë dhënies së provimit, sepse në shumicën e rasteve individuale dhe kopjimeve masive bëhet përmes përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera në të cilat janë instaluar aplikacionet e komunikimit.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Në provimin e jashtëm të detyrueshëm në gjuhën amtare më 1 qershor kishte 14.834 kandidatë të regjistruar, ndërsa më 8 qershor është dhënë lënda me zgjedhje dhe testimi është bërë në sallat e shkollave, për kontroll më të madh dhe vëzhgim të nxënësve. Maturantët që nuk do të kalojnë maturën shtetërore në sesionin e qershorit do të mund të regjistrohen në sesionin e gushtit, kur do të jepen dy provimet e jashtme në datat 12 dhe 14 gusht të vitit 2024.
FARIJE DAUTI BAKIJU
