Botë

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lot nga videoja e një sulmi vdekjeprurës në Siri

17.04.2015 14:56

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk i kanë mbajtur lotët derisa po shikonin një video të një sulmi vdekjeprurës me armë kimike...

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk i kanë mbajtur lotët derisa po shikonin një video të një sulmi vdekjeprurës me armë kimike, që kishte ndodhur muajin e kaluar në veriperëndim të Sirisë. Qeveria siriane mohon se ishte përgjegjëse për sulmin në Idlib, por mjekët sirianë këmbëngulin se kanë parë helikopterët tek fluturonin mbi fshatin Sarmin, më 16 mars.
 
Pastaj filloi një zhurmë e mbytur, një erë që kundërmonte dhe dhjetëra njerëz që u drejtuan drejt ndërtesës së spitalit lokal, pasi kishin vështirësi me frymëmarrjen. Video tregon përpjekjet e mjekëve për të ringjallur tre fëmijë të moshës një, dy dhe tre vjeç, prindërit dhe gjyshen e tyre.
 
Duke folur për BiBiSi-në, Zaher Saloul, president i një organizate mjekësore siriano-amerikane, i cili mori pjesë në takim, tha se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u prekën shumë nga ajo që panë.
                      
“Disa prej tyre ishin duke qarë. Në mënyrë të qartë ata ishin shumë të prekur nga ajo që kishin parë në video. Shumë prej tyre folën jashtë gjuhës diplomatike dhe shumë prej tyre e komentuan si veprim të tmerrshëm, duke thënë se autorët duhet të dalin përpara drejtësisë”- deklaroi presidenti i organizatës mjekësore siriano-amerikane, Zaher Saloul.
 
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, e përshkroi këtë takim të Këshillit të Sigurimit si “shumë emocionues”, duke theksuar se në këtë takim nuk ka pasur anëtarë që nuk është përlotur. Sipas saj, kjo dëshmi e mbledhur tashmë do të çojë një ditë përpara drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi.  
                  
“Vendosja e drejtësisë është duke marrë më shumë kohë se sa që ne do të dëshironim, por ky dokumentar që e pamë sot do të përdoret një ditë në një gjykatë që do të vendos ligjin edhe për atë që po ndodh në Siri”- tha ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Samantha Power.  
                         
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit kërkuan që Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike të hetojë menjëherë dhe seriozisht këtë tmerr në Siri.
 
Sulmi kimik në fshatin Sarmin erdhi vetëm disa ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së pati miratuar një rezolutë që dënoi përdorimin e kimikateve toksike, të tilla si klori në Siri, dhe kërcënoi me veprime ushtarake në rast të shkeljeve të mëtejshme.
 
Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit kanë fajësuar qeverinë e Bashar al-Asadit për kryerjen e këtyre sulmeve me armë kimike, pasi ushtria siriane është e vetmja palë në konflikt që posedon helikopterë e që të gjithë i dëgjuan dhe panë derisa fluturuan përmbi fshatin Sarmin.
 
Por, Rusia, një nga anëtaret me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, e cila është edhe një aleate e Sirisë së Bashar al Asadit, gjithmonë ka kundërshtuar ndërmarrjen e veprimeve me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të fajësuar vetëm Damaskun.
 
GYLTENE SINANI