Maqedoni

Samiti i NATO-s, Mickoski, i palëkundur për emrin e shtetit

05.07.2024 15:30

Qëndrimi i Shkupit zyrtar, sa i takon përdorimit të emrit të shtetit, mbetet i palëkundur edhe në Samitin e NATO-s....

Qëndrimi i Shkupit zyrtar, sa i takon përdorimit të emrit të shtetit, mbetet i palëkundur edhe në Samitin e NATO-s në Uashington në fillim të javës që vjen. Kryeministri Hristijan Mickoski shpreson në një takim eventual miqësor me homologun e tij, Kiriakos Micotakis, sa i takon kësaj çështjeje. Mickoski thotë se në raport me Greqinë do të ruajnë dinjitetin dhe do të bisedojnë si partnerë.
 
“Shpresoj se do të ruajmë dinjitetin dhe do të bisedojmë si partnerë dhe fqinjë të mirë, nëse vjen deri tek një bisedë e tillë. Nëse nuk vjen, shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Qëndrimi ynë si Qeveri është se duam të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët, se duam të krijojmë ura bashkëpunimi dhe se kjo për ne është rrugë dykahëshe. Deri më tani janë mësuar me rrugë njëkahëshe dhe tani ne jemi politikanë dhe Qeveri, e cila dëshiron të shohë rrugë dykahëshe të fqinjësisë së mirë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Deklarata e Mickoskit pason reagimin e kryeministrit grek, Micotakis, se pala maqedonase po shkel Marrëveshjen e Prespës, duke mos shfrytëzuar emrin kushtetues të vendit. Micotakis ka paralajmëruar se çështjen në fjalë do ta aktualizojë edhe në Samitin e NATO-s në Uashington. Micotakis, madje është shprehur se Mickoski do të gjendet në një pozitë të palakmueshme, nëse insiston për mospërdorim gjithëpërfshirës të emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
 
MERAL ISMAILI