Botë
Kurti: Një front i ri do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë
05.07.2024 15:43
Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “The New York Times”, i cili shtoi se kërcënimet për një luftë në Evropë nuk mungojnë, por NATO-ja gjithmonë është në gatishmëri për të mbrojtur sigurinë e Kosovës, pasi vitin e kaluar, rriti numrin e trupave të saj nga 3 mijë e 770 në rreth 4 mijë e 500 mes kërcënimeve në rritje për paqen.
“Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë. Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë një kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e zotit Vuçiq, Serbia ka investuar shumë në bashkëpunimin e saj ushtarak me Rusinë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti theksoi edhe raportin e vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së, i cili arriti në përfundimin se “Serbia ofron mjedisin më lejues për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.”. Kosova, përkundrazi, nuk mund të ofronte një mjedis më pak lejues. Ne kemi mbetur properëndimorë, shtoi Kurti.
“Një çerek shekull pas ndërhyrjes së saj, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata është më vendimtare se kurrë. Historia e saj e fortë në vend tregon se demokracia dhe mbështetja institucionale që ajo ndihmoi në vendosjen, së bashku me kërcënimet e jashtme që parandaloi, ruajtën me sukses paqen.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas 25 vitesh më vonë, ne po përballemi sërish me luftë dhe kërcënime lufte në Evropë. Paqja mbështetet vetëm nga aftësia jonë për ta mbrojtur atë kur sfidohet drejtpërdrejt dhe kërcënimi i një sfide të tillë është më real se kurrë, theksoi Kurti në deklaratën e tij.
FITORE DEMOLLI
