Maqedoni

Gjyqësori, qëndrime të ndara rreth reformave

05.07.2024 15:58

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk heq dorë për të reformuar rrënjësisht Këshillin Gjyqësor dhe të Prokurorëve...

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk heq dorë për të reformuar rrënjësisht Këshillin Gjyqësor dhe të Prokurorëve, duke paralajmëruar se do t’i japë fund “karrigeve komode”. Sipas tij, të gjithë ata që nuk kanë punuar dhe nuk kanë treguar rezultate, duhet të turpërohen dhe jo të vazhdojnë të shpenzojnë paratë e qytetarëve. Mickoski zotohet se kjo Qeveri do të punojë fuqishëm për të përforcuar sistemin e pavarur gjyqësor dhe për të rritur besimin e qytetarëve në të, dhe fton të gjithë të interesuarit brenda ekspertëve të fushës së gjyqësorit të japin kontributin e duhur. 
 
“Ky lloj i funksionarëve që jetojnë me para të qytetarëve e që nuk bëjnë asgjë dhe kanë besueshmëri prej vetëm 2 për qind, nuk mund të shkojmë për të mirë si shtet, nëse nuk bëjmë reforma thelbësore serioze. Duhet t’i bëjmë punët mirë, nëse duam të jemi siq duhet apo do të pranojmë të jemi në këtë fundërrinë ballkanike. Derisa të jem unë kryeministër, nuk do të lejoj që të ndodhë kjo dhe do të luftoj me të gjithë ata që nuk duan që Maqedonia dhe qytetarët të përparojnë.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Po kështu nuk mendojnë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve, pasi që sipas tyre,  shpërbërja e Këshillit të Prokurorëve do të ishte e dëmshme për ta dhe do të vështirësonte funksionimin e këtij institucioni,  tha  kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska, e cila vlerëson se përgjegjësia duhet të jetë individuale, e jo kolektive.
 
“Këshilli zgjedh dhe i shkarkon anëtarët e prokurorëve dhe ka edhe disa procedura tjera ligjore. Prokuroria po ballafaqohet me mungesë të theksuar të prokurorëve dhe në rast se këshilli shpërbëhet, atëherë tërësisht do të vështirësojë dukshëm funksionimin e rregullt të Prokurorisë.”, - theksoi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
 
Edhe ambasadorët e huaj në vend janë kundër idesë së kryeministrit, Hristjan Mickoskit, për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe të  Prokurorëve. Ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, dhe ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler, shpresojnë se për këtë çështje do të arrihet një bashkëpunim të mirë mes ekspertëve të fushës dhe Qeverisë e re.
 
“Mendoj që kryeministri ka hapur disa pyetje të rëndësishme dhe pajtohemi për reformat në drejtësi dhe kjo gjë është çelës për kyçjen e vendit në Bashkimin Evropian. Ne do të jemi në bashkëpunim me kryeministrin dhe Qeverinë se si të ecim përpara edhe në pjesë të tjera të sistemit. Shpresojmë në bashkëpunim konstruktiv dhe e ndajmë qëllimin e njëjtë, që është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian.”, - u shpreh ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
 
“Do të vazhdojmë bisedimet me Qeverinë e re dhe besoj se kjo gjë do të vlerësohet nga të gjithë. Kemi shumë bashkëpunim, sa i përket çështjes së sundimit të së drejtës, që janë pjesë e procesit të Bashkimit Evropian dhe siç e dini janë të rëndësishme dhe jemi të lumtur që po vazhdojmë bisedimet.”, - theksoi ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler.
 
Ideja për shpërbërje të Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve është pjesë e programit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, e që sipas tyre, ka për qëllim reformimin rrënjësor të këtyre institucioneve.
 
REXHEP QAMILI