Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, Xhelili: Shpërbërja nuk ka bazë juridike
05.07.2024 16:16
Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve si zgjidhja e vetme aktuale e propozuar nga Qeveria...

Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve si zgjidhja e vetme aktuale e propozuar nga Qeveria për kthimin e besimit në gjyqësor, nuk ka bazë Kushtetuese dhe ligjore. Kështu vlerëson eksperti juridik, Fadil Xhelili, sipas të cilit reagimi i ambasadorëve ishte i drejtë dhe në vijën e duhur dhe se nuk duhet nxituar me veprime të cilat në vend që ta rregullojnë, mund ta thellojnë problemin.
“Paralajmërimi se duhet të shkarkohet Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve është një çështje mjaft komplekse dhe e ndërlikuar, sepse legjislacioni që është në fuqi, duke filluar nga Kushtetuta e vendit, pastaj te ligjet që e rregullojnë këtë materie, duke filluar nga Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Prokurorinë, duhet thënë se nuk e parashohin dhe me këtë nuk e mundësojnë shpërbërjen si veprim apo si vendim të këtyre dy Këshillave.”, - deklaroi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
Edhe pse kjo përbërje e Këshillit Gjyqësor tani më ka humbur kredibilitetin e tyre, shkarkimi i tyre në tërësi do të paraqiste përzierje në pavarësinë e gjyqësorit, vlerëson Xhelili.
“Kredibiliteti i Këshillit Gjyqësor, tashme e dimë se ka rënë mjaft dhe kjo përbërje, tani më me të drejtë thuhet se nuk është e denjë dhe nuk e ka kredibilitetin dhe autoritetin e duhur që të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tyre. Por, duhet potencuar se kjo me automatizëm nuk nënkupton edhe shpërbërjen e tyre si akt i njëanshëm. Ne tashmë e dimë se pushteti gjyqësor, krahas pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv është pushteti i tretë dhe i barabartë me dy të tjerët dhe çdo ndërhyrje eventuale mund të cilësohet me të drejtë nga partitë opozitare se është ndërhyrje direkte në gjyqësorin si pushtet i pavarur.”, - theksoi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
Ndryshe, dje kryeministri Hristijan Mickoski iu përgjigj deklaratave të ambasadorëve amerikanë dhe atij të BE-së, të cilët dolën kundër shpërbërjes së Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve. Këto qëndrime, Mickoski i quajti ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit, ndërsa i ftoi ata që të ofrojnë zgjidhje. Sa i përket udhëzimeve të Misionit Vlerësues të BE-së, se si duhet vepruar me Këshillin Gjyqësor, tani më është përgatitur ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, i cili ka inkorporuar të gjitha rekomandimet, por që askund nuk është theksuar shpërbërje e Këshillit Gjyqësor.
FLORIJE KAMBERI
