Botë

Reagime pas vizitës së Orbanit në Kiev dhe Moskë

05.07.2024 16:40

Vizitat bilaterale të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Kiev dhe Moskë....

Vizitat bilaterale të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Kiev dhe Moskë, për negociata armëpushimi dhe paqeje, shkaktuan një valë reagimesh në bllokun evropian. Presidenti i mëparshëm i këshillit, Michel, tha se Orbani nuk ka mandat për të negociuar me Rusinë në emër të Evropës. Homologu polak i Orbanit, Tusk, e priti me rezerva takimin e tij tet-a-tet me Putinin.
 
“Presidenca e radhës evropiane nuk ka mandat të angazhohet në negociata me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë, Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Nuk ka bisedime për Ukrainën pa Ukrainën.”, - deklaroi ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
 
“Ka zëra për vizitën tuaj në Rusi, Viktor. A janë thjesht thashetheme?”, - pyeti kryeministri polak, Donald Tusk.
 
Pas kritikave nga Brukseli, Orbani pyeti kolegët e tij evropianë se kur mendonin të linin komoditetin e kryerjes së një misioni të vërtetë paqeruajtës.
 
“Nuk ka paqe nëse jeni ulur në kolltukë të rehatshme në Bruksel. Pa një mandat të Presidencës Evropiane, ne nuk mund të rrimë duarlidhur dhe të presim fundin magjik të luftës. Qëllimi ynë është të jemi një urë lidhëse për paqen. Nga diku duhet të vijë misioni i paqes.”, - theksoi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
 
Presidenti Zelenski konfirmoi përpjekjet për negociatat e paqes, duke mos devijuar nga mbrojtja e integritetit të shtetit ukrainas.
 
“Ne folëm me Orbanin për negociatat e paqes, për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe të ndershme. Kjo është një përgatitje e mirë për samitin e ardhshëm të paqes.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Kreu i Kremlinit, Putin, beson se armëpushimi nuk duhet të abuzohet për furnizimin me armë nga Perëndimi.
 
“Armiku kërkon një armëpushim për t’u armatosur, për të rindërtuar ushtrinë përmes mobilizimit të detyruar, për të vazhduar konfliktin e armatosur. Ne duhet të marrim garanci për hapat të sigurt dhe të pranueshëm për Rusinë.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Ndërkohë, Uashingtoni miratoi një dërgesë të re ndihme ushtarake për Kievin me vlerë prej 2.3 miliardë dollarë. Bota po vuan pasojat e luftës që po vazhdon për gati dy vjet e gjysmë.
 
FITORE DEMOLLI