Futboll
Napoli shkatërron Volfsburgun
17.04.2015 15:08
Lojtarët e Napolit i kanë dhënë dhuratën më të mirë për ditëlindje trajnerit të tyre, Rafa Benitez...

Ekipi i Napolit ka arritur të mposht Volfsburgun në formë, si mysafir dhe atë thellë - për të bërë një hap të madh drejt sigurimit të gjysmëfinales.
Thjeshtë, gjermanët nuk kishin përgjigje për lojën e Marek Hamsikut dhe Gonzalo Higuainit, që dërmuan portën e Diego Benaglios për fitore të thellë. Ndeshja e kthimit në San Paolo një javë më vonë - pritet të jetë festë 90 minutëshe për Napolin.
Skuadra që mbron trofeun e Europa League, Sevilla, ka vazhduar me pamposhtshmërinë në Ramon Sanchez Pizjuan në muajin e 14-të me radhë.
Ekipi i Unai Emeryt edhepse ishte në disavantazh prej 1-0 ndaj Zenitit, që avancoi me golin e Riazancevit, arriti të mëkëmbet në pjesën e dytë, për të shënuar dy herë në 16 minutat e fundit të takimit përmes Bakas dhe Suarezit, për të fituar ndeshjen.
Edhepse në ndeshjen e radhës do të jetë tepër vështirë në Rusinë e ftohtë për andaluzianët, ata kanë vazhduar të tregojnë formë të mirë si vendas.
Përkundër se Dynamo Kiev ishte shumë afër fitore ndaj Fiorentinës, në fund italianët janë ndarë me rezultat të favorshëm para ndeshjes së kthimit.
Holandezi Jeremain Lens i kishte dhënë epërsinë ekipit ukrainas në pjesën e parë dhe kur i tërë stadiumi priste që ekipi i Dynamos të dalë fitues nga përballja, ka qenë zëvendësuesi senegalez i Vincenzo Montellas, Khouma Babacar që ka shënuar për të barazuar dhe për t’ia dhënë Fiorentinës golin si mysafir, aq shumë të kërkuar.
Në ndeshjen e fundit çerekfinale, Brugge nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë e terrenit vendas ndaj Dnipros. Ekipi belg i drejtuar nga ish portieri legjendar i Belgjikës, Michel Preud’homme, barazoi pa gola ndaj përfaqësuesit befasues nga Ukraina dhe gjithçka pritet të vendoset në ndeshjen kthyese.
