Maqedoni

Vrasje në Lubeten, humb jetën 31 vjeçari

17.04.2015 16:12

Një vrasje ka tronditur mbrëmë banorët e fshatit Lubeten të Shkupit, ku një person me armë automatike ka qëlluar për vdekje 31 vjeçarin, Xhevair M. nga fshati Rashtak...

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas namazit të jacisë, ku një banor i fshatit Lubeten, në moshë 21 vjeçare, ka qëlluar në drejtim të tashmë të të vdekurit.
 
Banorët e fshatit Lubeten të Shkupit sot nuk deshën të prononcohen para objektivit të kamerës sonë. Thanë vetëm se vrasja e 31 vjeçarit ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21 këtu para xhamisë së madhe në Lubeten.
 
Nga MPB-ja thonë se dy personat në fjalë janë fjalosur për çështje të komunikacionit që në orën 17 të pasdites në lagjen Butel të Shkupit dhe se njëri prej tyre ka thënë se do të takohen gjatë ditës së djeshme për t’i pastruar paqartësitë.
 
“Në Spitalin e Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, mbrëmë është dërguar një person i moshës 31 vjeçare nga fshati Rashtak, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij. Pas hetimeve të MPB-së dhe bisedave të  kryera me familjarët tashmë të të vdekurit, është dëshmuar se vrasjen e ka kryer një 21 vjeçar nga fshati Lubeten. Është bërë hetimi në vendin e ngjarjes dhe janë marrë në hetim të mëtutjeshëm pikat e gjakut të gjetur në rrugë dhe gëzhoja e plumbave”- deklaroi Liza Bendevska nga MPB.
 
Nga MPB-ja thonë gjithashtu se të dy familjet e personave nuk kanë qenë problematikë në të kaluarën për policinë. Policia është në kërkim të vrasësit. 
 
REXHEP QAMILI