Samiti i NATO-s, mundësi takimesh, Ramadani: Mickovskin mund ta presin takime dypalëshe

07.07.2024 14:14

Samiti i NATO-s përpos agjendës së paralajmëruar....

Samiti i NATO-s përpos agjendës së paralajmëruar, mund të shfrytëzohet edhe për takime tjera me interes rajonal, që mund të ndodhë edhe ndonjë ballafaqim i  kryeministrit Mickovski me homologun e tij grek Micotakis, apo me ndonjë diplomat të huaj, thotë analisti politik, Ismet Ramadani, sidomos për  të diskutuar për pjesën e përdorimit të emrit të shtetit që u aktualizua pas betimit solemn të presidentes së shtetit.

“Unë mendoj se një përfaqësues i BE-së ose i NATO-s, apo SHBA-ve, do të organizojnë në margjina një takim ndoshta edhe me kryeministrin dhe mund të hapet edhe ky problem që ndodhi në deklarimet e kryeministrit në atë që do të thotë respektim të marrëveshjeve qoftë me Greqinë, qoftë me Bullgarinë dhe unë mendoj se do ta ketë vështirë kryeministri në një strukturë të tillë që të gjejë argumente për të bindur ata që janë prezentë, qoftë për përdorimin e emrit ose të ndryshimeve që i paralajmëron korniza për bisedime.” – u shpreh Analisti politik, Ismet Ramadani.

Lidhur me deklaratën e kreut të ekzekutivit për rinegociata me fqiun lindor në raport me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, njohësit e çështjes thonë se mundësia ligjore ekziston, por çdo tentim për të biseduar sërish me Sofjen për çështjet e hapura dypalëshe, nuk sjellë asnjë dobi për vendin tonë.

“Për Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, mund të merret hap prej numrit të deputetëve edhe të ndërpritet ose të dalë jashtë përdorimit, mirëpo atëherë aq shumë do të komplikohen punët me Bullgarinë, sepse ne nuk e kemi atë aftësi dhe mundësi, qoftë politike, diplomatike, ekonomike, pozicion në BE apo NATO që të ribisedojmë ose të merremi vesh edhe njëherë me Bullgarinë për ndonjë Marrëveshje të mirë.” – deklaroi Ramadani.

Ditë më parë kryeministri Mickovski tha se Marrëveshja e Prespës është realitet por si dokument dypalësh kërkon angazhim nga dy vendet në zbatimin e saj, ndërkaq insiston në rinegociata me Sofjen lidhur me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, ku do të përfshiheshin kërkesat maqedonase. (Nermin Mulaki - Fejzullahu, TVM2)