Protesta në Izrael, 9 muaj pas luftës me Hamasin
Nëntë mujori i luftës në Gaza...

Nëntë mujori i luftës në Gaza, shënohet me protesta në Izrael. Demonstruesit u mblodhën këtë mëngjes në orën 6:29, simbolike e të njëjtës kohë kur më 7 tetor, filloi fushata e përgjakshme e Hamasit në Izrael. Mbi një mijë balona të zeza dhe të verdha mbuluan qiellin në jug të vendit.
Protestuesit kërkojnë zgjedhje të menjëhershme dhe lirimin e pengjeve.
“Çdo tullumbace e zezë është emri i një viktime, dhe e verdha është dikush që ende nuk është liruar nga pengmarrja”.
“Ne jemi këtu për të kujtuar ata që patën më pak fat se unë dhe braktisjen katastrofale të komuniteteve tona nga Qeveria. "Kanë kaluar nëntë muaj dhe ende askush në qeverinë tonë nuk po merr përgjegjësi."
“Netanyahu kujdeset vetëm për veten e tij, por jo për vendin e tij dhe pengjet”. “Tani ka një marrëveshje, dhe ai ia jep krahun të djathtë - pakicës në qeveri, për ta kontrolluar” – thanë disa nga protestuesit.
Protestuesit antiqeveritar bllokuan gjithashtu autostradat kryesore anembanë vendit, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të jepte dorëheqjen.
Demonstruan gjithashtu para shtëpive të anëtarëve të Parlamentit të Izraelit. Mijëra njerëz dolën gjithashtu në rrugët e Tel Avivit, pasi Hamasi miratoi një propozim të SHBA-së për një marrëveshje armëpushimi me faza, duke hedhur poshtë një kërkesë kyçe që Izraeli të angazhohet për një armëpushim të përhershëm përpara nënshkrimit të marrëveshjes.
“Dua të besoj se këtë herë do të arrihet një marrëveshje”.
“Pas marrëveshjes, Izraeli duhet të shkojë në zgjedhje. Është koha për të rivendosur besimin mes popullit dhe qeverisë”.
Kompromisi i dukshëm nga grupi militant mund të sjellë pauzën e parë në luftime që nga nëntori dhe të vendosë një kornizë për ti dhën fund luftës. Por jashtë kornizes diplomatik duket se kriza po thellohet. Kampi Nuseyrat u godit përsëri, u godit gjithashtu edhe ndërtesa komunale në jug të Khan Yunis.
Në veri mbretëron uria. Luftimet intensive e bëjnë të vështirë transportimin e ushqimit.
“Situata është tragjike në çdo kuptim të fjalës. Është rikthyer uria, i njëjti skenar”, tha një palestinez shpërngulur.
"Të moshuarit po vdesin ndërsa të rinjtë nuk mund të ecin si pasojë e urisë". Kanë kaluar nëntë muaj, askush nuk përkujdeset. Edhe sa kohë duhet të vuajmë? Edhe sikur të kishim para, nuk ka mall, dhe macet dhe qentë kanë ngordhur”
Autoritetet shëndetësore në Gaza njoftuan se në ofensivën izraelite kundër palestinezëve më shumë se 38 mijë njerëz vdiqën, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra.
Situatë e tensionuar edhe në front me Hezbollahun. Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në kufirin me Libanin, gjë që ka detyruar zhvendosjen e një numri të madh njerëzish. (Arlinda Baftiu, TVM2)
