Ekonomi
Oda Ekonomike Rajonale në Kërçovë, memorandum me komunën
17.04.2015 17:03
Oda Ekonomike Rajonale me seli në Kërçovë, organizoi takim biznesi me kreun e Kërçovës, Fatmir Deharin...

Në këtë takim, ku morën pjesë edhe përfaqsues të subjekteve afariste, u nënshkrua edhe memorandumi i bashkëpunimit në mes dy subjekteve, i cili do të hapë një perspektivë të re zhvillimore në rajonin e Kërçovës dhe më gjërë.
Takimi për çështjet e afarizmit në rajonin e Kërçovës u zhvillua me iniciativën e Odës Rajonale Ekonomike dhe ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon, si dhe bashkërenditjen e aktiviteteve me vetëqeverisjen lokale të Komunës së Kërçovës.
Në këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të subjekteve afariste, u shqyrtuan edhe mundësitë për zhvillim rajonal dhe modernizim infrastrukturor, që padyshim ka një rol të rëndësishëm në përspektivën zhvillimore të kësaj ane.
Me këtë rast u nënshkruajt edhe memorandumi i bashkëpunimit të Komunës së Kërçovës dhe Odës Ekonomike, të cilën kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, e vlersoi si një partneritet që do të hapë shtigje të reja zhvillimore.
Ky bashkëpunim, tha ai, do t’u hapë rrugën investimeve, me të cilat do të përforcohen kapacitetet e biznesit në zonat e lira ekonomike dhe industriale dhe do të ndikojë në zbutjen e papunësisë.
Jelisaveta Georgieva, nënkryetare e Odës Ekonomike të Maqedonisë, tha se ky takim, që rezultoi me nënshkrimin e memorandumit, është një hap shumë serioz dhe me karakter institucional.
Bashkëpunimi dypalësh dhe këmbimi i përvojave në mes subjekteve, nënvizoi ajo, do të rrisë kapacitetet investuese në rajonin e Kërçovës dhe do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të rajonit të Kërçovës dhe më gjërë.
SHABAN DALIPI
