Maqedoni

Rritja e pensioneve, Mexhiti: 2.500 denarë nga shtatori, 5.000 në mars

08.07.2024 14:30

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti..

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me ministrin, Fatmir Limani; deputetin, Bekim Sali dhe kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu, janë takuar me pensionistët për t'i informuar për rritjen e pensioneve prej 5.000 denarë. Me këtë rast, Mexhiti u premtoi pensionistëve se kjo nuk do të jetë e gjitha dhe se Qeveria do të angazhohet në vazhdimësi që të punojë në të mirë të qytetarëve dhe rritjen lineare të pensioneve.
 
“Sigurojmë se kjo Qeveri do të trajtojë qytetarët me dinjitet dhe do të mundësojë të ardhmen më të mirë dhe që Qeveria e kaluar thuajse nuk bëri asgjë në këtë drejtim. Siç e kam thënë, kjo Qeveri do të jetë e fokusuar në ekonomi, do të punojmë që qytetarët tanë të kenë të ardhura më shumë dhe standard më të lartë për jetë. E para, do ta kryejmë këtë. Javën e parë kjo Qeveri rriti pensionet 5.000 denarë, nuk flasim për 900 denarë, por për 5.000 dhe tregova me data se kur fillon e para dhe e dyta, mandej vazhdojmë në fazat e tjera 3 apo 4.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Kërkesa për rritjen e minimales, Limani: Do t’i shqyrtojmë mundësitë buxhetore
 
Ndërkohë, sa i përket kërkesës së sindikalistëve për rritjen e pagës minimale në 450 euro, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, tha se në vazhdim do ta shqyrtojnë situatën reale, por që buxhetin e kanë të ulët.
 
“Jemi në kontakt të përbashkët. Planifikojmë të ulemi së bashku dhe ta shohim situatën reale. E dimë që Qeveria e kaluar ka shfrytëzuar apo keqpërdorur buxhetin e ministrisë sonë nga 60 deri më 80%. Me këtë e kanë vënë në pikëpyetje edhe pagesën e pagave të rregullta. Për këtë do t’ju informojmë në mënyrë plotësuese.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani. 
 
Ndërkohë nga Sindikata e Pavarur e Maqedonisë kanë kërkuar që Qeveria në 100 ditët e para të Qeverisë, jo vetëm të diskutojë, por edhe të arrihet një zgjidhje që paga minimale të arrijë në 450 euro.
 
FLORIJE KAMBERI