Maqedoni
Samiti i NATO-s, Gashi e Mickoski me delegacione në vete
08.07.2024 15:05
Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri, Hristijan Mickoski, qëndrimin në Uashington...

Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri, Hristijan Mickoski, qëndrimin në Uashington ku pritet të mbahet Samiti i NATO-s po e shfrytëzon për të bërë takime me palë të ndryshme. Mickoski ka takuar diplomatin amerikan Riçard Grenell, kurse kohë ka gjetur edhe për diasporën e Maqedonisë në ShBA.
“Para fillimit të Samitit të NATO-s i kam kushtuar vëmendje qëndrimeve dhe çështjeve të diasporës sonë. Kam pasur një takim të mrekullueshëm me Meto Kolovskin dhe me Diasporën e Bashkuar Maqedonase, me të cilët kemi diskutuar për mbështetjen dhe lobimin për interesat maqedonase.”.
Fronti akuzon për anashkalimin e shqiptarëve
Përndryshe delegacioni qeveritar në Samitin e NATO-s u bë “mollë sherri” për shkëmbimin e akuzave mes pushtetit dhe opozitës shqiptare. BDI-ja gjatë fundjavës shprehu shqetësim që vendi për herë të parë prezantohet nga një delegacion monoetnik në Samitin e NATO-s në Uashington.
“Delegacioni monoetnik nga Qeveria monoetnike është një dëshmi shtesë se vazalët e VLEN-it i shumëzon me zero si pasojë e mungesës së legjitimitetit zgjedhor dhe etnik.”.
Mexhiti: Përfaqësues është kreu i Kuvendit
Në lidhje me këtë qëndrim të “Frontit Evropian” ka reaguar zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili tha se në Samitin e NATO-s përfaqësues është kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa njoftoi edhe dy vizita të tjera në kryeqendrat e Evropës, ku do të ketë përfaqësues nga VLEN-i.
“Nuk mban akuza e “Frontit Evropian”, sa për informatë, në vizitat politike që do të pasojnë në Londër, do të jemi unë dhe z.Mickoski. Në Bruksel do të jetë z.Mickoski me z.Murtezanin, varësisht prej agjendave politike.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Sa i përket asaj se kanë shkuar dy delegacione të ndara në Samitin e NATO-s në Uashington të kryesuara nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe kryeministri, Hristian Mickoski, Mexhiti tha se kjo është për shkak të asaj që të dy kanë agjenda të tyre të ndara në ngjarje.
ERSAN PAJAZITI
