Maqedoni
Ji: Opozita të kthehet plotësisht në institucione
17.04.2015 17:07
ShBA-të rekomandojnë që indikacionet për shpërdorime dhe korrupsion të hetohen patjetër, ndërsa opozita duhet të gjejë rrugë për t’u kthyer në institucione...

Mesazhin e përcolli zëvendësndihmëssekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Hojt Ji, pas takimit me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev. Ashtu si një ditë më parë, Ji kërkoi nga të gjitha palët e përfshira të sillen me përgjegjësi dhe të gjejnë rrugë për dalje nga kriza.
“Besojmë shumë se është shumë e rëndësishme për të gjitha palët të sillen me përgjegjësi, të tentojnë të gjejnë mënyrë për dalje nga kriza. Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje përmbajtjes së përgjimeve, të bëhen hetime për indikacionet për shpërdorime dhe korrupsion, këto gjëra duhet patjetër të hetohen”- deklaroi zëvendësndihmëssekretari për Evropë dhe Euro-Azi, Hojt Ji.
Nëse pushteti duhet të marrë me seriozitet përmbajtjen e përgjimeve, opozita duhet të gjejë mënyrën për t’u rikthyer në institucione. Ji, tha se ka porositur liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaevin, që të gjejë mënyrën për t’u rikthyer në institucione.
“Ne besojmë dhe, i shpjegova z. Zaevit, se roli që duhet të luaj opozita në çdo demokraci është roli demokratik, të marrë pjesë plotësisht në institucione, përfshirë edhe kuvendin. E inkurajova z. Zaevin të gjejë mënyrën për kthimin e partisë së tij në kuvend. Kështu ai do të luaj rolin që duhet të luaj në parlament për të ndihmuar Maqedoninë të avancojë drejt integrimit euroatlantik”- tha Ji.
ShBA-të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm integrimin euroatlantik të Maqedonisë, prandaj vlerësojnë se është e rëndësishme që të gjitha palët, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, duhet ta ndihmojnë procesin integrues.
Një ditë më parë, Ji u takua edhe me kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.
SHPËTIM NUREDINI
