Botë
Policia e Kosovës nis fushatën “Festo me zemër, jo me armë”
08.07.2024 16:37
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nisur fushatën kundër të shtënave festive...

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nisur fushatën kundër të shtënave festive, me moton “Festo me zemër, jo me armë”. Armët pa leje, që janë në përdorim të paligjshëm nga qytetarët, janë shkaktarë e pjesës dërmuese të vrasjeve, u tha nga zyrtarët shtetërorë gjatë lansimit të fushatës. E shtëna me armë zjarri në ahengje dhe festime është vepër penale dhe është e ndëshkueshme me ligj, theksojnë nga Ministria e Brendshme.
“Policia e Republikës së Kosovës në baza vjetore konfiskon përafërsisht 1.500 armë ilegale të llojeve të ndryshme për çdo vit. Si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm për ngritjen e nivelit të sigurisë së qytetarëve, konfiskimi i armëve të vogla dhe të lehta po vazhdon, por edhe i municionit të kalibrave të ndryshëm.”, - deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.
“Përdorimi i armëve të zjarrit është një problem që prek shumë shoqëri, jo vetëm tonën, në ato ditë që janë për t’u festuar dhe që sjellin gëzim në familjet e tyre, dhe jo siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, ndonjëherë edhe kob. Prandaj arma nuk është mjet për festë, nuk simbolizon gëzim, sjell vetëm hidhërim.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Statistikat e rasteve të përdorimit të armëve nëpër ahengje për vitin 2022 dhe 2023, flasin se në vitin 2023 ka pasur më pak raste, përkatësisht në vitin 2022 ka pasur 155 armë të sekuestruara vetëm në ahengje, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 107 armë të konfiskuara.
GYLTENE SINANI
