Maqedoni
Komisioni Shtetëror Zgjedhor, debat të nxehtë për kryetarin e KKZ-së në Qendër
17.04.2015 17:12
Propozimi për shqyrtimin e statusit të kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën Qendër, Koço Mitrevskit...

Propozimi për shqyrtimin e statusit të kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën Qendër, Koço Mitrevskit, shkaktoi diskutimeve të ashpra në seancën e sotme të komisionit, i cili nuk arriti të votojë as rendin e ditës.
Sipas kryetarit të KShZ-së, Nikolla Rillkoskit, Mitrevski ka keqpërdorur pozitën e tij, transkriptat e përgjimeve të dorëzuara nga opozita për keqpërdorimin e fletëvotimeve nga ana e Koço Mitrevskit në statusin e kryetarit të atëhershëm dhe aktual të KKZ-së në Komunën Qendër janë dëshmi se ai nuk ka kredibilitet të realizojë referendumin që do të mbahet në këtë komunë, pasi ka shkelur dispozitat e kodit zgjedhor.
“Nuk ka dileme për mua se ai ka bërë shkelje dhe është pikëpyetje nëse ky person edhe më tutje ka kredibilitet moral dhe legjitim të jetë edhe më tej, në këtë moment, në këto marrëdhënie në shtet, të udhëheq referendumin në Komunën Qendër”- deklaroi kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rillkovski.
Pro shqyrtimit të kësaj çështje u shpreh edhe nënkryetari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
“Për vitin 2013, transkriptat që i shoh këtu për zgjedhjet lokale, atëherë kishte saktë 29 vendvotime, që KShZ nuk vlerësoi që ka parregullsi, po që Gjykata Administrative i shfuqizoi ato”- tha nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
Për tre anëtarët e komisionit, Vllatko Stojkovskin, Aneta Stefanovskën dhe Sasho Srcevin shqyrtimi i statusit të kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor është i papranueshëm .Ata thanë se nuk ka dëshmi së Mitrevski ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Mendoj se në këtë periudhë, në prag të referendumit me zbatimin e të gjitha aktiviteteve, kjo iniciativë me ngjan si e vonuar apo politikisht e instrumentalizuar”- theksoi anëtari i KSHZ-së, Sasho Srcev.
Anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibrahimi, vlerësoi se me statusin e kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor duhet të merret prokuroria dhe gjykatat.
Ai pyeti se pse opozita nuk dorëzoi edhe transkripta të bisedave që kanë të bëjnë me listat e përbashkëta zgjedhore të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në Strugë dhe Kërçovë për të shqyrtuar edhe ligjshmërinë e tyre.
“Çfarë ndodhi gjatë zgjedhjeve lokale në Kërçovë dhe Strugë, si u arrit që tani më në listat e vërtetuara të kandidatëve për këshilltarë në këto komuna të mos jenë lëndë e përgjimeve. Kush dhe si është bërë marrëveshja, atë nuk e kemi dhe këtu kemi një selektim nëse janë të vërteta këto transkripta”- u shpreh anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibraimi.
Referendum në Komunën Qendër do të mbahet më datën 26 prill, ndërsa qytetarët do të kenë të drejtën të përgjigjen.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
