Botë

Gazë, raportohet për luftime të ashpra në Gazë

08.07.2024 17:29

Forcat izraelite kanë kryer sulme në qytetin e Gazës, teksa tanket kanë avancuar në qendër të qytetit...

Forcat izraelite kanë kryer sulme në qytetin e Gazës, teksa tanket kanë avancuar në qendër të qytetit nga drejtime të ndryshme. Shërbimi i Emergjencave Civile në Gazë tha se beson që dhjetëra persona janë vrarë, por ekipet nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë te viktimat për shkak të ofensivave që po vazhdojnë në Daraxh dhe Tufa në lindje dhe në Tel Al-Hava, Sabra dhe Rimal në perëndim.
 
Banorët thanë se këto janë ndër luftimet më të ashpra që nga 7 tetori, kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
 
“Ne ishim në shtëpi, gruaja ime, fëmijët e mi dhe unë kur goditi një raketë. As që na u dha mundësia të themi një fjalë. Nuk kemi asgjë këtu, është një shtëpi refugjatësh.”, - tha një qytetar.
 
“Zbrita së bashku me vëllezërit e motrat dhe të afërmit e mi dhe kishte një familje të tërë që strehoheshin, ishte e mbushur me gra, fëmijë, të rinj, ishte plot me fëmijë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Ofensiva e re izraelite vjen teksa Egjipti, Katari dhe ShBA-ja kanë intensifikuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në luftën në Gazë, që ka hyrë në muajin e dhjetë.
 
Lufta nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë.
 
BELINDA KOKA ADEMI