Botë
Hashim Thaçi konfirmon vizitën në Beograd
17.04.2015 17:13
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në konferencën për integrime evropiane, që do të organizohet në Beograd prej 23 deri më 25 prill...

Lajmërimin për konfirmimin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit, e ka bërë Organizata Joqeveritare “Komiteti për arsimim të të rinjve”, e cila edhe është nikoqire e kësaj konference me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Por, ftesa e Thaçit në Beograd ka nxitur reagime të shumta në opinionin serb. Homologu serb i Thaçit, Ivica Daçiq, ka thënë se shefi i Diplomacisë së Kosovës nuk ka çfarë kërkon në Serbi.
Derisa prokurori serb për Krime Lufte, Vladimir Vukçeviq, paralajmëroi Thaçin se fletëarresti për të është ende në fuqi, duke paralajmëruar se do të arrestohet nëse shkel në Beograd.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka thënë se në rast të vizitës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Serbi, duhet të respektohen procedurat që parasheh Marrëveshja e Brukselit.
“Marrëveshja është arritur midis dy palëve. Procedura shkon përmes zyrave ndërlidhëse. Me sa e di unë, BE-ja nuk ka ndonjë rol të caktuar për këto çështje”- ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherinit.
