Maqedoni
Ahmeti: ndihma ndërkombëtare për krizën, e domosdoshme
17.04.2015 17:22
Ndihma e komunitetit ndërkombëtar është e domosdoshme për t’i dhënë fund krizës politike në vend...

Ndihma e komunitetit ndërkombëtar është e domosdoshme për t’i dhënë fund krizës politike në vend, ndërsa BDI nuk paragjykon asnjë zgjidhje që duhet të jetë produkt i konsensusit midis partive.
Kështu ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Turqisë, BE-së, Danimarkës në OSBE.
Ai gjithashtu tha se Maqedonia vazhdon të ketë në agjendën e saj integrimin në strukturat euroatlantike.
“Në këto takime kam ngritur çështje që kanë të bëjnë me vendin tonë, me zgjidhje dhe dalje nga kriza, që aktualisht po ekzistojnë në vendin tonë. Të mos devijohet nga agjenda me prioritet, apo thënë më mirë prioritet mbi prioritete për vendin tonë mbetet anëtarësimi i vendit tonë në NATO, vazhdimi i implementimit të standardeve”- deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti tha se BDI nuk është pjesë e problemit dhe do të përpiqet që të kontribuojë në tejkalimin e situatës.
“Kam kërkuar ndihmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë që vendi ynë të ndihmohet dhe ajo ndihmë të vijë në radhë të parë në lehtësimin dhe fillimin e dialogut mes palëve VMRO-DPMNE dhe LSDM-së, do të thotë afrimit dhe pajtimit mes tyre dhe në këto takime të bashkëngjitet edhe Bashkimi Demokratik për Integrim në përpilim të agjendës për dalje nga kriza”- tha kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit, kyçja e ekspertëve ndërkombëtarë politik dhe juridik për zgjidhjen e krizës politike nuk duhet kuptuar si ndërhyrje në sovranitetin e vendit, por si garanci për zbatimin e ndonjë marrëveshjeje që do të arrihet midis palëve dhe përfundimisht daljes nga kriza.
NAIM RAMADANI
