Botë

Konjufca: Serbia mund ta përsërisë Banjskën

09.07.2024 13:49

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ekziston rreziku që Serbia të përsërisë sulmin si ai i vitit të kaluar në Banjskë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ekziston rreziku që Serbia të përsërisë sulmin si ai i vitit të kaluar në Banjskë të veriut të Kosovës. Këtë shqetësim Konjofca e shprehu në takimin me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Erik Nusbaumer, me ç’rast ai ka thënë se Kosova po përballet me rrezik për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.    
 
“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimin tim se po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar. Si një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë, por që vazhdon të ketë bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet jo vetëm si rrezik për Kosovën, por edhe për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Duke folur për Marrëveshjen me Serbinë, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se Beogradi s’mund të jetë fqinj i mirë kur ka sjellje agresore. Ai tha se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes, prandaj i jep të drejtë Kosovës që të mos e bëjë hapin tjetër, e që është themelimi i Asociacionit.
 
Nusbaumer: Parandaloni tensionet  
 
Zyrtari zviceran ka theksuar se për vendin e tij është me rëndësi paqja e qëndrueshme dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
                                                                                                             
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës e të Serbisë që të adresojnë tensionet dhe të parandalojnë eskalimet. Për Zvicrën, paqja e qëndrueshme në rajon dhe normalizimi i marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm, andaj Zvicra e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.”, - theksoi presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Erik Nusbaumer.
 
Konjufca falënderoi presidentin Nusbaumer për përkrahjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke shtuar se integrimi në BE për Kosovën është bashkim në vlerat politike, kulturore dhe të qytetërimit.
 
GYLTENE SINANI