Rasti "Zinxhiri", 6 të akuzuar pranojnë fajin, mbi 10 vite burg

09.07.2024 14:43

Gjykata Penale në Shkup shqiptoi pesë dënime me burgim...

Gjykata Penale në Shkup shqiptoi pesë dënime me burgim dhe një dënim me kusht, pasi gjashtë të akuzuar në rastin “Zinxhiri”, pranuan fajin për fshehje të tatimit dhe larje parash. Dënimin total që morën të akuzuarit është 10 vjet e pesë muaj burg dhe duhet të kompensojnë dëmin që shkaktuan nga funksionimi i paligjshëm i kompanive të tyre.

“Vitin e kaluar ligjvënësi i ka zvogëluar dënimet sa i përket veprës penale shoqërim kriminel dhe fshehje të tatimit dhe për këtë arsye dënimet e sotme dallojnë nga ajo që ishim mësuar  nga piramida të tilla tatimore.”, - deklaroi gjykatësja, Daniela Dimovska.

Pas shqyrtimit të vendimit me shkrim, Prokuroria do të vlerësojë se cilat janë shkaqet që gjykata miratoi dënime afër minimumit ligjor.

“Në përgjithësi Prokuroria është e kënaqur nga vijueshmëri e procedurës në kuptimin e asaj që të akuzuarit prapë se prapë janë ballafaquar me dëshmitë që i mblodhëm gjatë procedurës para hetimore dhe hetimore dhe për këtë arsye pranuan fajin dhe arritën marrëveshje me Prokurorinë.”, - theksoi prokurorja publike, Natasha Pop Trajkova.

Prokuroria kishte hapur hetim kundër 26 pronarëve dhe drejtorëve të kompanive, të cilët nga viti 2019 deri në fund të vitit 2021 me dhënien e faturave të rrejshme, me qëllim mos pagesën e tatimit, e kanë dëmtuar buxhetin për 8 milionë euro.

Në procedurë hetimore, dy të dyshuar arritën marrëveshje me Prokurorinë dhe u dënuan me kusht, ndërkohë që një i dyshuar ndërroi jetë.

Një pjesë e të dyshuarve pranuan fajin, paguan tatim prej 1 milionë eurosh dhe iu shqiptuan dënime me kusht apo dënime të ulëta me burg. Për ata që nuk e kanë pranuar fajin, procedura gjyqësore vazhdon. (Florije Kamberi, TVM2)