Maqedoni
Aksidenti me autobusin e NQP-së, Shoferi: Vozisim autobusë me defekte
09.07.2024 14:59
Në atmosferë të tensionuar kaloi press konferenca e thirrur...

Në atmosferë të tensionuar kaloi press konferenca e thirrur nga konfederata e sindikatave. “Mollë sherri” me udhëheqësinë e Ndërmarjes Qarkulluese Publike ishte aksidenti i djeshëm i autobusit në afërsi të qendrës tregtare “Mavrovasja”, i cili përfundoi në murin mbrojtës.
Me lot në sy, shoferi i autobusit të aksidentuar tregon tmerrin që ka përjetuar. Sipas tij, shumë herë janë të detyruar të vozisin autobusë të cilët janë teknikisht të parregullt.
“Më vjen keq për udhëtarët, por diçka e tillë nuk mund të ndodhë, me mjete të shkatërruara po i mbysim udhëtarët të cilët nuk janë fajtorë. Para se të ndodhë dëgjova një krismë tek timoni, unë përpiqesha të kthej nga ana e djathtë, ndërsa autobusi shkonte në anën e kundërt.”, - theksoi shoferi i autobusit të aksidentuar.
Sindikata: Përgjegjëse është kryetarja e qytetit
Nga konfederata e sindikatave të lira akuzojnë se me autobusë të parregullt po transportohen qytetarët, ndërsa përgjegjëse për këtë është kryetarja e qytetit të Shkupit.
“Nuk mundemi t’i lëshojmë fëmijët tanë të voziten me transportin publik ku siguria është e cenuar, lëshohen në përdorim autobusë të parregullt teknikisht dhe këto janë informata nga shoferët dhe punëtorët që i mirëmbajnë këto autobusë. Fajtorë kryesorë për këtë është kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Të gjithë janë fajtorë në qytet, në mënyrë të vazhdueshme po ndërrohen drejtorët e ndërmarrjeve publike vetëm ajo është në të drejtë.”, - deklaroi kryetari i Sindikatave të lira, Marjan Ristevski.
NQP: T’i presim të dhënat e hetimit
Sipas drejtorit të NQP-së, të mos spekulohet, por të pritet që institucionet kompetentë të dalin me deklarata në lidhje me rastin. Sipas tij, ky aksident, por edhe punëtorët po keqpërdoren për qëllime politike.
“Mos të japim deklarata paushall para se institucionet të deklarohen me raport se cila është arsyeja që ka ardhur deri tek aksidenti. Mos t’i përdorim punëtorët për qëllime të tjera. MPB-ja ka dalë në terren dhe ka kryer inspektim dhe ata janë më kompetentët që të tregojnë se mjeti transportues ka qenë teknikisht i rregullt apo ndonjë arsye tjetër ka qenë shkak për këtë ngjarje.”, - theksoi drejtori i NQP-së, Dragi Kushovski.
I pyetur për atë se a lëshohen në qarkullim edhe autobusë të cilët janë të parregullt teknikisht, drejtori i ri i NQP-së e mohon një gjë të tillë.
GAZMEND KURTISHI
