Botë

Jonuz Musliu: situata e rëndë në arsimin shqip në luginën e Preshevës

17.04.2015 17:31

Gjendja e arsimit shqip në luginën e Preshevës është shumë e vështirë, bën të ditur kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, Jonuz Musliu...

Vështirësi të shumta hasen sidomos rreth furnizimit me libra, thotë Musliu, sipas të cilit shkollat e mesme ende përdorin literaturë të vitit 1974.
 
“Situata është e rëndë, situata është e vështirë kur dihet shumë mirë se nxënësit në Luginë të Preshevës, sidomos të shkollës së mesme, mësojnë me literaturë të vitit 1974… Sa i përket arsimit fillor, janë përkthyer rreth 40% të teksteve mësimore, por jo në mënyrë profesionale”- deklaroi kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, Jonuz Musliu.
 
Kjo u bë e ditur pas takimit mes Komisionit për Arsim të Kosovës dhe Shqipërisë, me ç’rast kryetarët e dy komisioneve premtuan se Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë çmos që edhe shqiptarët e luginës së Preshevës të mund të përdorin tekstet e unifikuara.
 
“Kurikulat janë pjesë e përbashkët për të gjithë ne edhe për Kosovë, edhe për Shqipëri, edhe për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne duhet të bëjmë përpjekje që ato të jenë pjesë e angazhimit tonë të përbashkët dhe të miratimit të tyre”- tha kryetari i Komisioni për Arsim i Kosovës, Nait Hasani.
 
“Shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë mund të bëjë diçka më shumë, sidomos në fushën e arsimit, ku problemet janë më të mprehta. Prezantimi që bëri zoti Musliu ishte vërtet dramatik, rrëqethës, në mënyrë që të sigurohet të paktën një minimum që kërkohet për arsimin, një cilësi e librave bashkëkohore, librave moderne, që edhe atje fëmijëve shqiptarë, fëmijëve të gjuhës shqipe të mos u mohohen këto instrumente të domosdoshme të arsimit”- u shpreh kryetari i Komisionit për Edukim i Shqipërisë, Genc Polo.
 
Ndërsa Alfred Peza, nënkryetar i Komisionit të Kuvendit shqiptar, tha se çështja e teksteve mësimore për shqiptarët e luginës së Preshevës do të kërkohet që të diskutohet edhe nga vizita e zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi, në Beograd dhe ajo e kryeministri të Serbisë, Aleksander Vuçiç, në Tiranë.
 
SANIJE KASAMI