Maqedoni
MASh-i dhe BZhA-ja nisin debat publik, do të rishqyrtohet koncepti për arsimin fillor
09.07.2024 15:15
Për të mënjanuar anomalitë në procesin edukativo-arsimor dhe për të përmirësuar të njëjtin...

Për të mënjanuar anomalitë në procesin edukativo-arsimor dhe për të përmirësuar të njëjtin, Ministria e Arsimit dhe Byroja për Zhvillim përmes debatit publik do të rishqyrtojnë konceptin për arsimin fillor. Për këtë arsye është ndërprerë edhe konkursi për botimin e teksteve në arsimin fillor nëntëvjeçar, i cili ishte shpallur në prill të këtij viti. Këto dy institucione ftojnë të gjitha palët e përfshira në procesin edukativo-arsimor të japin sugjerimet e tyre për avancimin e programeve mësimore ekzistuese për klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë.
“Për shkak të reagimeve të shumta në opinion se integrimi i lëndëve vështirëson zbatimin e mësimdhënies, por edhe të vlerësimit, duke krijuar konfuzion sikurse tek mësimdhënësit, po ashtu edhe te nxënësit, ftojmë të gjithë të interesuarit, ndërsa në veçanti presim proaktivitet nga kuadri mësimdhënës, që të dorëzojnë sugjerimet e tyre më së voni deri më 31 gusht.”, thuhet në kumtesën e MASh-it.
Mbështetja financiare, MASh: Pagesa për nxënësit do të realizohet këtë javë
Po ashtu nga MASh-i informojnë se kompensimi në të holla në bazë të masës kundër krizës për mbështetjen e familjeve të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme vazhdojnë të paguhen në faza edhe gjatë kësaj jave të punës.
“Shuma mujore është duke u paguar dhe presim që procesi të përfundojë plotësisht brenda muajit të ardhshëm. Kërkojmë nga qytetarët që të kenë durim, sepse të gjithë ata që i plotësojnë kushtet do t’i marrin mjetet e parashikuara. Javën e kaluar janë kryer pagesat e mbështetjes financiare për muajt shkurt dhe mars për rreth 13 mijë nxënës.”, thuhet në njoftimin e MASh-it, ku shtojnë se janë planifikuar masa cilësore sistematike dhe afatgjate, sepse të rinjtë jenë në fokusin e Qeverisë së re.
SANIJE DURAKU
