Botë
Shërbimi i ndryshimeve klimatike të BE-së, qershori, muaji më i nxehtë deri më tani
09.07.2024 16:24
Qershori i vitit 2024 ishte qershori më i ngrohtë i regjistruar, sipas shërbimit të monitorimit të ndryshimeve klimatike..

Qershori i vitit 2024 ishte qershori më i ngrohtë i regjistruar, sipas shërbimit të monitorimit të ndryshimeve klimatike të Bashkimit Evropian, Kopernikus. Jashtë Evropës, temperaturat ishin më mbi mesataren në Kanadanë lindore, Shtetet e Bashkuara perëndimore dhe Meksikë, Brazil, Siberinë veriore, Lindjen e Mesme, Afrikën veriore dhe Antarktidën perëndimore. Temperaturat evropiane ishin mbi mesataren mbi rajonet juglindore dhe Turqinë dhe afër ose nën mesataren mbi Evropën perëndimore, Islandë dhe Rusinë veriperëndimore. Në Japoni, autoritetet e vendit paralajmëruan sot qytetarët për rrezikun e goditjes së nxehtësisë në Tokio dhe në zonat në lindje.
Vala e të nxehtit e ka kapluar edhe Marokon ku temperaturat variojnë nga 39 deri në 47 gradë celsius, nxehtësi që është e papërballueshme për banorët.
“Dielli është në zenitin e tij, është shumë nxehtë, patjetër çdo ditë po vendos kapele dhe konsumoj shumë ujë dhe përpiqen të mos dalë në intervalin kohor prej orës 02:00 deri në orën 16:00.”, - tha një banor.
“Prej orës 12:00 deri në orën 16:00 shmangim daljet jashtë me fëmijët, i nxehti është shumë përvëlues dhe mund të ndikojë në shëndetin e tyre.”, - tha një banor tjetër.
“Unë pothuajse asnjëherë nuk dal gjatë valës së të nxehtit, por sot e kisha patjetër, kisha termin të caktuar te mjeku.”, - u shpreh një banore.
Sipas të dhënave të shërbimit të ndryshimeve klimatike në BE, muaji qershor ishte 1.5°C mbi mesataren e parashikuar dhe ky është muaji i 12-të radhazi për të përmbushur ose tejkaluar pragun 1.5°C dhe niveli aktual i ngrohjes globale tashmë ka efekte shkatërruese në klimë. Këto përfshijnë valët më ekstreme të të nxehtit, reshjet ekstreme dhe thatësirat, tkurrjen e shtresave të akullit, akullin e detit dhe akullnajat, si dhe përshpejtimin e rritjes së nivelit të detit dhe ngrohjen e oqeaneve.
Ndryshimi i klimës tashmë ka pasur efekte shkatërruese në mbarë botën, me më shumë se 1.000 njerëz që kanë vdekur nga goditja e nxehtësisë gjatë pelegrinazhit në Mekë muajin e kaluar. Shërbimi Kopernikus i BE-së thekson se ngrohja është shkaktuar pjesërisht nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe pjesërisht nga fenomeni meteorologjik “El Nino”.
FLUTURA LATIFI
