Botë
ShBA, Bajdeni nuk heq dorë nga gara për mandat të dytë
09.07.2024 16:50
Shqetësimet rreth shëndetit të presidentit, Xho Bajden, janë rritur që nga performanca e dobët e tij në debatin me Donald Trampin...

Shqetësimet rreth shëndetit të presidentit, Xho Bajden, janë rritur që nga performanca e dobët e tij në debatin me Donald Trampin, megjithëse tashmë u konstatua se Xho Bajdeni nuk është duke marrë mjekim për sëmundjen e Parkinsonit. Kështu është shprehur mjeku i tij pas raportimeve se një specialist e kishte vizituar presidentin disa herë gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka thënë se Bajdeni është i aftë të udhëheqë kombin dhe se debati ishte një anomali.
“Ajo që pashë në atë debat nuk është reflektim i njeriut, liderit dhe komandantit të përgjithshëm me të cilin kam kaluar shumë e shumë orë. Në përvojën time, gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, nuk kam parë asnjë arsye për të dyshuar në qartësinë e tij, mirëkuptimin e tij, natyrën e tij hetimore.", - deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Xhon Kirbi.
Në një letër drejtuar demokratëve në Kongres, presidenti amerikan i rezistoi thirrjeve për të tërhequr kandidaturën dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund dramës brenda partisë. Më vonë edhe në një emision televiziv, ai theksoi se “Nuk po shkoj askund”.
“Jam i frustruar nga elitat në Partinë Demokratike që më bëjnë thirrje të tërhiqem nga gara. Nëse dikush mendon se unë nuk duhet të kandidoj, kandidoni kundër meje. Përfundimi këtu është se ne nuk do të shkojmë askund. Unë nuk do të shkoj askund.”, - theksoi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.
Disa demokratë besojnë se një kandidaturë e Bajdenit do të kërcënojë shanset e partisë në zgjedhjet e nëntorit dhe do ta bëjë më të mundshëm kthimin e Trampit në Shtëpinë e Bardhë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve thotë se republikanët janë më të përgatitur për t'u marrë me kërcënimet e shumta në mbarë botën.
“Ne jemi realistë. Ne nuk po kërkojmë një luftë, por e dimë se duhet të jemi gati. Rënia është gjithmonë një zgjedhje. Jetojmë në një vend të lirë dhe duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur. Ne mund të përpiqemi t'i qetësojmë ata ose mund të zgjedhim një rrugë tjetër.", - u shpreh kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Majk Xhonson.
Fjalimi i Xhonsonit vjen derisa liderët e NATO-s takohen në 75-vjetorin e një aleance ushtarake që nuk ka qenë kurrë më e madhe dhe më e fokusuar, por gjithashtu përballet me kërcënime të mundshme ekzistenciale nga jashtë dhe brenda.
BELINDA KOKA ADEMI
