Botë

Tiranë, ministri Bekim Neziri takon kryeparlamentarin Meta

17.04.2015 18:03

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot ministrin e Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë, Bekim Nezirin, duke u përqendruar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë...

Meta, duke evidentuar me kënaqësi edhe vizitën e fundit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanovit, në Shqipëri, vlerësoi se vizita e ministrit Neziri rikonfirmon intensitetin dhe nivelin e lartë të shkëmbimeve dypalëshe.
 
Në këtë drejtim, Meta theksoi se marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duhen përqendruar gjithnjë e më tepër në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. 
 
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve fqinje dhe shprehu mirënjohjen për angazhimin e kuvendit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje se marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të rëndësishme në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit mes Tiranës dhe Shkupit. 
 
Kryetari Meta dhe ministri Neziri biseduan gjithashtu më konkretisht rreth prioriteteve të përbashkëta ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat lidhen ngushtë me forcimin e ndërlidhjes rajonale.
 
Në përfundim të takimit, kryetari i kuvendit, Meta, shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në proceset e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
 
LULJETA NDOKA