Maqedoni

Strugë, digjet mali në fshatin Dollogozhdë

10.07.2024 13:58

Pasditen e së martës në malin e fshatit Dollogozhdë shpërtheu një zjarr i cili për shkak të temperaturave...

Pasditen e së martës në malin e fshatit Dollogozhdë shpërtheu një zjarr i cili për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirave u përhap shumë shpejt, duke zbritur në afërsi të shtëpive të para të fshatit. Nga njësia e zjarrfikësve në Strugë reaguan menjëherë, megjithatë për shkak të vështirësive në terren, nuk mund të ndërhynin, ndërsa u dërgua një helikopter për të ndërhyrë nga ajri për ta shuar zjarrin. Megjithëse gjatë natës mali ishte në mbikëqyrje të zjarrfikësve, sot përsëri ka zjarr, ndërsa ekipet e zjarrfikësve janë në terren. Kjo është hera e tretë që kjo pjesë e malit digjet, nga NP Zjarrfikësit në Strugë thonë se kjo bëhet e qëllimshme, dyshojnë se dikush e ka vënë zjarrin vetë. 
 
“Na lëshuan një helikopter. Mirë është me helikopter, por vetëm me një nuk mund ta shuajnë zjarrin, sepse mes të zjarrit ka dru, s’mund ta përballojmë. Edhe ne si zjarrfikës nuk mund të hyjmë brenda. Kjo është qëllimisht, jo prej nxehtësisë, as prej xhamave që thonë. Qëllimisht është e ndezur.”, - deklaroi komandanti në zjarrfikësen në Strugë, Feti Mazari. 
 
Edhe banorët e fshatit reaguan, duke thënë se kjo ndodh shpesh dhe ndjehen të rrezikuar, ndërsa i gjithë fshati është i mbushur me tym. 
 
“Normal që ndihemi të rrezikuar nga ky rrezik që ndodh këtu. Shpresoj që zjarrfikësit tanë ta mbyllim sa më shpejt, sepse tymi bën edhe prishjen e ajrit të fshatit tonë. Shpresojmë që ky problem të zhduket sa më shpejt.”, - theksoi kryetari i rinisë në fshatin Dollogozhdë, Almir Dalipi.
 
Nga NP Zjarrfikësit thonë se sot nuk do të ketë nevojë për helikopter. Brenda ditës pritet që të shuhet komplet zjarri dhe të kalojë rreziku për përhapje të zjarrit. 
 
ILMIE ZHAKU