Maqedoni

Raporti i Antikorrupsionit në Kuvend, rreziqe serioze të korrupsionit në gjykata

10.07.2024 15:05

Rreziqe serioze të korrupsionit në sistemin gjyqësor, evidenton Komisioni Antikorrupsion në raportin vjetor për vitin 2023...

Rreziqe serioze të korrupsionit në sistemin gjyqësor, evidenton Komisioni Antikorrupsion në raportin vjetor për vitin 2023. Korrupsioni kalon në heshtje, thotë kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska. Ajo premton se do të fokusohen në përforcimin e integritetit të gjykatave, duke mos lënë anash edhe fushat e tjera. Për një betejë efikase kërkoi më shumë financa për investime kapitale dhe punësime të reja.
 
“Janë identifikuar rreziqe serioze në sistemin gjyqësor. Analiza përfshin rreziqet ditore nga korrupsioni, që shumë shpesh kalojnë si të padukshme nga kreatorët e politikave në gjykata dhe prokurori publike, por edhe opinionet e gjykatësve për pavarësinë gjyqësore dhe integritet.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska. 
 
Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, theksoi se duhet rritur niveli i luftës kundër korrupsionit. Gjithashtu paraqiti vërejtje për përbërjen e Komisionit Antikorrupsion.
 
“Nuk respektohet përfaqësimi adekuat dhe kjo është një formë korrupsioni. Nëse në mënyrë adekuate nuk përfaqësojmë institucionin antikorrupsion, atëherë ne të kemi korrupsion.”, - theksoi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
 
Për deputetin e VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshovski, objektivat e antikorrupsionit duhet të jenë më të qarta. Ai alarmoi situatën në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik,  për punësim gjatë zgjedhjeve.
 
“Kemi dy vendime gjyqësore në të cilat është konstatuar se Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publik dhe organet menaxheriale të akademisë kanë shkelur nenin 8A nga kodi zgjedhor. Në përputhje me këto aktgjykime, Komisioni Antikorrupsion ka obligim të kërkojë përgjegjësi nga organet kompetente të cilat kanë shkelur kodin zgjedhor, nëpërmjet ngritjes së një procedure.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Në mbrojtje të punës së antikorrupsionit foli deputetja, Sonja Mirakoska, duke shpresuar në objektivitetin e pushtetit.
 
“Ju i fituat zgjedhjet dhe në të ardhmen do të jepni maksimumin të zhdukni korrupsionin, por shpresoj për një gjë se raporti nuk do të jetë më i mirë vetëm për faktin se dikush do të përpiqet ta ngufatë Komisionin Antikorrupsion.”, - u shpreh deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakoska. 
 
Analizat ndërkombëtare nuk janë optimiste. GREKO pranë Këshillit të Evropës vlerëson se vendi ka përmbushur 13 nga 23 rekomandime për parandalimin e korrupsionit. “Transparency International” rendit shtetin në vendin e 76 me 42 pikë, që tregon nevojën për përmirësimin e betejës kundër korrupsionit.
 
MERAL ISMAILI