Maqedoni

Situata me zjarret në vend, QMK: Intervenohet në tri vatra aktive

11.07.2024 13:59

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar gjithsej 17 zjarre aktive në ambiente të hapura...

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar gjithsej 17 zjarre aktive në ambiente të hapura, 14 prej të cilave janë shuar në tërësi. Autoritetet e Qendrës për Menaxhim me Kriza informojnë se ekipet e zjarrfikësve aktualisht po punojnë për t’i shuar edhe 3 zjarre në zonën e Konçes. Për fat të mirë, thonë nga QMK-ja, këto zjarre nuk rrezikojnë të përhapen në fshatrat përreth, ndërsa për shkak të sigurisë së banorëve, atyre u është rekomanduar që të evakuohen për periudhë të shkurtër derisa normalizohen edhe këto të tria në tërësi.
 
“Prej gjithsej 17 zjarre, aktive janë vetëm 3, prej të cilave dy zjarre janë aktive në komunën e Negotinës dhe në fshatin Novo Sellë. Sa i përket zjarrit të përhapur në poligonin ushtarak “Pepelishte” është duke u normalizuar. Prej gjithsej 10 kilometra të rripit ku ishte zgjeruar zjarri kanë mbetur vetëm disa zjarre të hapura, por jo me intensitet të madh. Fshatrat përreth  kryesisht janë të mbrojtura, mirëpo zjarri tashmë është përafruar në komunën Konçe. Edhe pse fshatrat janë pothuajse pa banorë, respektivisht prej 2 deri më 4 persona të cilët jetojnë aty, për shkaqe sigurie QMK-ja rekomandoi në mënyrë preventive këta banorë të evakuohen për shkak të tymit që përhapet dhe mund t’u shkaktojë dëm mbi shëndetin e tyre.”, - deklaroi Ilija Bojarovski nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
 
Për dëmet materiale është herët për të folur dhe për të llogaritur, sqaron më tej Bojarovski, mirëpo si gjithmonë ajo që dihet është se në të shumtën e rasteve faktori njeri është shkak i përhapjes së zjarreve.
 
“Dëmet gjithmonë në fund mund të përllogariten, mirëpo në këto raste do të kisha thënë se kur jemi të kapluar nga shumë zjarre, ajo është baras sikur kur digjet lëkura e një njeriu, andaj themi se toka është pasuri e madhe e cila nuk jemi të vetëdijshëm sa është e rëndësishme për ne. QMK-ja e koordinon situatën në terren dhe është në komunikim të vazhdueshëm me komunat.”, - theksoi Ilija Bojarovski nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
 
Në rast të nevojës dhe përhapjes së madhe të zjarreve në vendet malore, QMK-ja mund të aktivizojë edhe avionët, që ka në dispozicion për shuarjen e zjarreve. QMK-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve të bëjnë kujdes të veçantë gjatë stinës së verës dhe të mos i hedhin bishtat e cigareve në ambientet e hapura.
 
REXHEP QAMILI