Maqedoni
Kuvend, shumica me dhjetë ligje për energjetikë
11.07.2024 14:44
Dhjetë ligje, sa i takon funksionimit të Ministrisë për Energjetikë...

Dhjetë ligje, sa i takon funksionimit të Ministrisë për Energjetikë, kanë marrë pëlqimin e deputetëve për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend. Midis tjerash, Ministria e re për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale do të funksionojë plotësisht duke pushuar së funksionuari Agjencia e Energjetikës. Përpos rregullimit të ri të organeve shtetërore, riorganizohet puna për kontroll të metaleve të çmuara, burimeve minerale, efikasitetit energjetik, si dhe rezervave të naftës.
“Riorganizimi i institucioneve, gjegjësisht i organeve të aparatit shtetëror, nuk bëhet për t’u rritur organet, por që të bëhet një racionalizim dhe ato organe të zvogëlohen. Gjithashtu ulen shpenzimet. Me këto ndryshime Agjencia për Energjetikë nuk do të ekzistojëmë, ndërkaq kompetencat, të punësuarit dhe prona që vijon si obligim i Agjencisë, do të hyjë në përbërjen e Ministrisë për Energjetikë.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Opozita kritikoi thirrjen urgjente të seancës, duke thënë se prioritet i jepet mazhorancës.
“Këto tekste ligjore i janë dorëzuar arkivit më 5 korrik, ndërkaq deputetët i kanë marrë më 9 korrik. Pajtohem se në afat prej tri ditë pune nga dorëzimi, kryetari ua kalon materialet deputetëve. Andaj pyes përse diskriminohen deputetët e opozitës. Kemi deputetë të LSDM-së, i cili ka dorëzuar ligj më 1 korrik dhe deri më sot, ai ligj nuk i është dorëzuar deputetëve.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Ligjet për energjetikë do të duhet të kalojnë komisionet amë dhe më pas të miratohen në seancë plenare në Kuvend.
MERAL ISMAILI
