Maqedoni

Pushteti fillon “luftën” kundër lojërave të fatit, Snopçe: Bixhozi, larg shtëpive

11.07.2024 15:57

Shumica e re në Kuvend filloi “luftën” kundër bastoreve dhe lojërave të fatit onlajn....

Shumica e re në Kuvend filloi “luftën” kundër bastoreve dhe lojërave të fatit onlajn. Deputetët e VLEN-it, në koordinim me ato të VMRO-DPMNE-së, kërkojnë interpretim autentik të ligjit aktual, përmes së cilës tentojnë të dëshmojnë se hapja e tre kompanive të reja për lojëra të fatit disa muaj më parë, është bërë në kundërshtim dispozitat ligjore. Deputeti Halil Snopçe thotë se do të fillojnë procedura ligjore për të nxirren para përgjegjësisë, ata që kanë marrë këtë vendim. Po ashtu me ligj të ri synojnë përgjysmimin e këtyre bizneseve. 
 
“Ekipi ynë i juristëve është i bindur që vendimi për themelimin e tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit në internet është plotësisht pabazë ligjore, prandaj presim që Qeveria ta mbështesë këtë siguri ligjore duke dhënë mendimin e duhur nga ku Komisioni juridik ligjvënës do të zbërthejë në një interpretim autentik që do të mundësojë mbylljen e lojërave të fatit në internet, edhe atë, menjëherë. Fillimi i procedurave të duhura gjyqësore për të vërtetuar keqpërdorimet e detyrave zyrtare dhe autorizimet e të gjitha autoriteteve, të cilët kanë marrë pjesë në miratimin e vendimeve të kundërligjshme lidhur me organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit.”, - deklaroi deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe.
 
Përdorimi i flamurit shqiptar, Lëvizja “E di”: Këtë çështje e kemi ngritur në Qeveri
 
Nga Lëvizja “E di”, sërish kanë reaguar ndaj përdorimit të flamurit shqiptar nga politikanët shqiptarë në Qeveri. Zëdhënësi Memov ka njoftuar së këtë çështje e ka ngritur  brenda koalicionit qeveritar dhe do të kërkojnë nga institucionet që të marrin masa për shkelje të ligjit. 
 
“Në bisedimet me VMRO-DPMNE-në për pjesëmarrjen tonë në Qeveri, Lëvizja “E di” ka përcaktuar parimet themelore për funksionimin e Qeverisë. Të gjithë ministrat të punojnë në zbatimin e programit të Qeverisë, t'i përgjigjen vetëm Qeverisë dhe kryeministrit dhe jo të zbatojnë politikat e tyre partiake si më parë. Presim që institucionet e sistemit të bëjnë punën e tyre dhe të marrin masat e duhura për shkeljen e ligjeve, pavarësisht se nga cila anë vijnë.”, - theksoi zëdhënësi i Lëvizjes “E di”, Nikolla Memov. 
 
Snopçe: Kthehuni në realitet, zgjedhjet kanë mbaruar
 
Por, nga koalicioni VLEN thonë se një temë e tillë në Qeveri nuk është diskutuar, ndërsa përkujtojnë  lëvizjen e Dimitrievskit që zgjedhjet kanë përfunduar dhe të lënë anash vokabularin zgjedhor. 
 
“Ne jemi pjesë e Qeverisë së bashku me Lëvizjen “E di”, nënkuptohet dhe VMRO-në, por Qeveria dhe partneriteti është raport forcash, nuk është raport fuqish dhe askush nuk mund të ketë tendencë që të ushtrojë fuqinë ndaj tjerëve, e aq më pak Lëvizja “E di”. Këto janë vetëm faza deklarative, janë dytësore dhe nuk kanë asnjëfarë peshe për ne.”, - u shpreh deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe. 
 
Në nenin 2 të ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Maqedoninë e Veriut thuhet qartë se bashkësitë me qëllim të shprehjes së identitetit dhe veçorive të tyre, kane të drejtë të përdorin flamurin për shprehjen e identitetit dhe veçorive të tyre.
 
SANIJE DURAKU