Shkupi shënon 29-vjetorin e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë. Përmes marshit tradicional komemorativ, komuna e Çairit dhe komuniteti boshnjak përkujtuan viktimat e masakrës së 11 korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë.
Para Memorialit të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës në Parkun e Çairit, u bënë homazhe për viktimat, ndërsa nuk munguan as disa poezi kushtuar për ta, si dhe disa piktura me mesazhe për gjenocidin e Srebenicës. Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili mbajti fjalim para të pranishmeve, tha se ky memorial është i vetmi i llojit të tij jashtë territorit të Bosnjës dhe se i dedikohet qëndresës epike të popullit boshnjak në përpjekjet shekullore për ekzistencë.
“Kjo ditë në vete ka dhimbje të hatashme, por ka edhe mburrje që ia kemi arritur të kemi një lloj të këtillë epitafi dhe vendi përkujtimor, ku ju komuniteti boshnjak bashkërisht me ne, tani më katër vite me radhë po përkujtojmë gjenocidin e Srebenicës, dhe përmes këtij epitafi, jo vetëm një herë në vit, por çdo ditë, çdo herë që të kalojmë pranë këtij simboli, do të përjetojmë një copë mozaiku të dhimbjes boshnjake dhe përpjekjes së tyre për të ecur në histori.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Homazhe para Memorialit të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës ka kryer edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. Ndryshe, ky është përvjetori i parë që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutë që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Nga ky gjenocid i Serbisë u vranë më shumë se 8 mijë njerëz, ndërsa rreth një mijë viktima janë ende duke u kërkuar. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)